Portieri Jesus Owono ka nisur përgatitjet fizike pas disa javësh të përkushtuara rikuperimit psikologjik. Ai është kthyer në ambientet stërvitore të klubit, ku po punon individualisht, ndërsa përpara ka ende një rrugë të gjatë. Rikthimi vjen pas daljes së tij të parë publike, të premten, në ndeshjen ndaj Leganes.
Owono, ndaj të cilit është vendosur pezullim prej 12 ndeshjesh, e nisi stërvitjen javën e kaluar dhe të hënën vijoi me një tjetër seancë individuale.
Pasi shokët e skuadrës përfunduan stërvitjen në grup, ai doli në fushë dhe kreu disa ushtrime fizike. Ende nuk ka zhvilluar ushtrime si portier dhe nuk i ka veshur dorezat.
Ai u takua sërish me bashkëlojtarët në Estadi Comunal. Ekipi i ka qëndruar pranë që nga fillimi, ndërsa disa prej lojtarëve e vizitojnë pothuajse çdo ditë.
Klubi nga Principata nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar për rikthimin e portierit të Guinesë Ekuatoriale. Nuk ka as një datë të përcaktuar, pasi gjithçka varet nga gjendja e tij mendore. Owono po vijon trajtimin me specialistë për të përballuar tragjedinë.
Përplasja mes Jesus Owono dhe Jesus de Miguel ndodhi më 2 nëntor, në minutat e fundit të ndeshjes në stadiumin Heliodoro Rodriguez Lopez. Sulmuesi i lindur në Madrid u godit rëndë në gjoks nga gjuri i portierit të Andorrës dhe pësoi arrest kardiak. Ai ndërroi jetë në spital të nesërmen.
