Alexander Isak ka bërë të ditur se periudhën e vështirë të sezonit të tij të parë te Liverpooli e konsideron tashmë të mbyllur, ndërsa gjatë Kupës së Botës 2026 po e ndien veten në formë shumë të mirë.
26-vjeçari ka spikatur me përfaqësuesen e Suedisë në këtë turne. Në fitoren 5-1 ndaj Tunizisë ai realizoi një gol dhe kontribuoi me dy asistime, ndërsa në humbjen 5-1 përballë Holandës shtoi edhe një asistim tjetër.
Këto paraqitje me fanellën e Suedisë dallojnë ndjeshëm nga sezoni i kaluar te Liverpooli, ku pas kalimit prej 125 milionë euro nga Newcastle United, ai hasi vështirësi fizike dhe probleme me dëmtimet, duke e mbyllur me vetëm pesë kontribute në gola në 22 ndeshje.
Ndeshja kundër Tunizisë shënoi edhe herën e parë pas më shumë se një viti që Isak luajti 90 minuta të plota. Ndërkohë, Suedia vijon betejën për të siguruar kualifikimin në fazën eliminatore para ndeshjes së fundit të grupit ndaj Japonisë.
Nga grumbullimi i Suedisë në Dallas, Isak u shpreh se e gjithë vëmendja e tij është e përqendruar vetëm te kombëtarja.
“Klubi dhe kombëtarja janë dy gjëra krejtësisht të ndara. Kur iu bashkova kombëtares, nuk mendoja për asgjë tjetër përveç Suedisë dhe Kupës së Botës”.
“Sigurisht që është kënaqësi të zhvillosh një Botëror të mirë dhe gjithmonë dëshiron të përmirësohesh. Ndihem në një moment shumë të mirë dhe shpresoj të vazhdoj me paraqitje të mira”.
“Tani ndihem mirë, madje shumë mirë. Është e vështirë të përcaktosh se cili është maksimumi yt fizik, sepse nuk e di kurrë. Por për momentin nuk kam asgjë për t’u ankuar sa i përket gjendjes sime fizike”, deklaroi Isak.
Pas një sezoni plot sfida, sulmuesi suedez po jep shenja se po e gjen sërish formën e tij më të mirë pikërisht në skenën më të madhe të futbollit botëror.


