Në përgatitje për ndeshjet kundër Finlandës dhe Bjellorusisë, kombëtarja shqiptare zhvilloi pasditen e sotme një tjetër seancë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”.
Departamenti i Komunikimit në FSHF njoftoi se trajneri Rolando Maran i kishte në dispozicion të gjithë lojtarët dhe se stërvitja u zhvillua me ngarkesë të plotë.
Arbër Hoxha dhe Cristian Shpendi punuan veçmas në fushë. Ata po rikuperohen nga dëmtimet e pësuara pas goditjeve të marra në ndeshjet e fundit me klubet e tyre përkatëse.
Dy futbollistët pritet të stërviten me grupin nesër, në seancën zyrtare para përballjes me Finlandën.
Programi i sotëm filloi në palestër dhe vijoi me punën e Maranit dhe ekipit për situata të ndryshme loje dhe aspekte taktike.
Nesër, në orën 11:00, Shqipëria do të zhvillojë stërvitjen zyrtare. Mediat do të lejohen ta ndjekin gjatë 15 minutave të para.
Po nesër, në orën 16:00, në stadium do të mbahet konferenca zyrtare e trajnerit Maran dhe një lojtari.
Për ekipin mik, konferenca zyrtare për mediat është caktuar në orën 11:30, ndërsa stërvitja zyrtare e Finlandës do të nisë në orën 12:30.
Shqipëria do të luajë kundër Finlandës të enjten në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”, në një ndeshje të UEFA Nations League. Të gjitha biletat janë shitur dhe stadiumi do të jetë i mbushur në kapacitet të plotë.
