Lionel Messi vijon të lërë gjurmë në historinë e futbollit botëror. Kapiteni i Argjentinës ishte protagonisti kryesor në fitoren 3-0 ndaj Algjerisë, në ndeshjen hapëse të Grupit J në Kupën e Botës 2026, duke realizuar një het-trik dhe duke vendosur disa rekorde të jashtëzakonshme.
38-vjeçari shënoi të tre golat e Argjentinës, duke e çuar në 16 numrin e golave të tij në Kampionatet Botërore. Me këtë total, ai barazoi rekordin e legjendës gjermane Miroslav Klose, i cili deri më tani mbante i vetëm vendin e parë në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës.
Ndeshja kundër Algjerisë ishte historike edhe për një tjetër arritje. Messi u bë lojtari i parë në histori që merr pjesë në gjashtë Kupa Bote radhazi, pasi ka qenë pjesë e edicioneve të viteve 2006, 2010, 2014, 2018, 2022 dhe 2026.
Gjithashtu, ylli argjentinas vendosi një tjetër rekord, duke u bërë futbollisti më i vjetër që shënon një het-trik në një ndeshje të Kupës së Botës. Në moshën 38 vjeç e 357 ditë, ai theu rekordin e Cristiano Ronaldos, i cili kishte realizuar tre gola ndaj Spanjës në Botërorin e vitit 2018 në moshën 33 vjeç e 130 ditë.
Me tre golat e shënuar ndaj Algjerisë, Messi u bë edhe argjentinasi i katërt që realizon një het-trik në një Kampionat Botëror, pas Guillermo Stábile, Gabriel Batistuta dhe Gonzalo Higuaín.
Mbrëmja historike u plotësua edhe me një tjetër shifër të veçantë, pasi sfida ndaj Algjerisë ishte paraqitja e 200-të e Messit me fanellën e Argjentinës.
Në moshën 38-vjeçare, Messi vazhdon të sfidojë kohën dhe të shtojë kapituj të rinj në një karrierë që prej kohësh ka hyrë në histori si një nga më të mëdhatë që ka njohur futbolli.


