Gareth Bale mund të rikthehet në skenën e futbollit, por jo më si protagonist në fushë. Ish-lojtari uellsian raportohet se është përfshirë në një nismë financiare që synon blerjen e klubit spanjoll Sevilla.
Pas tre vitesh të kaluara në MLS me Los Angeles, Bale i dha fund karrierës si futbollist në vitin 2023, kur ishte 33 vjeç.
Që prej pensionimit, ish-ylli i Real Madridit është marrë kryesisht me golfin. Megjithatë, tashmë ai mund të rikthehet në futboll në një pozicion jashtë fushës, si pjesë e një grupi investues.
Mediumi spanjoll El Confidencial raporton se Bale është një nga pjesëtarët e njërit prej tri konsorciumeve që kanë shfaqur interes për të blerë Sevillan.
Kontributi i tij në këtë projekt pritet të jetë këshillues. Uellsiani lidhet me fondin amerikan të investimeve Juggernaut Capital Partners, përfaqësuesit e të cilit kanë zhvilluar tashmë kontakte me drejtuesit e klubit për mundësinë e një blerjeje.
Sevilla po përballet me vështirësi të konsiderueshme, pavarësisht historikut të saj të jashtëzakonshëm në Ligën e Evropës, kompeticion të cilin e ka fituar shtatë herë.
Skuadra andaluziane nuk ka mundur të renditet në pjesën e sipërme të tabelës së La Ligës në asnjërin prej katër sezoneve të fundit. Problemet u thelluan në sezonin 2024/25, të mbyllur nga Sevilla vetëm një pikë mbi zonën e rënies.
Një investim i ri mund të luajë rol të rëndësishëm në të ardhmen e klubit, që synon të rikthehet mes skuadrave më të forta dhe konkurruese të futbollit spanjoll.
Gjatë karrierës së tij, Bale u përball nëntë herë me Sevillan dhe në këto ndeshje kontribuoi me tri gola e gjashtë asistime në të gjitha kompeticionet.
Sevilla aktualisht mban vendin e 13-të në La Liga dhe po përgatitet të luajë derbin lokal kundër rivalit të saj të madh, Real Betis.
