FIFA ka dhënë sqarime për vendimin e arbitrit Espen Eskas, pasi Kroacisë iu anulua një gol në minutat e fundit të përballjes me Portugalinë. Në deklaratën zyrtare, u bë e ditur se teknologjia Connected Ball, e integruar brenda topit, evidentoi një prekje nga Igor Matanovic, duke i mundësuar gjyqtarit të akordonte saktë pozicionin jashtë loje dhe të mos e pranonte golin e Joko Gvardiol.
Aksioni nisi me një krosim nga e majta drejt zonës së penalltisë së Portugalisë. Në momentin e topit në ajër, Igor Matanovic po hidhej për ta luajtur, ndërsa menjëherë pas tij ndodhej Mario Pasalic, i cili ishte në pozicion jashtë loje.
Në pamje të parë, topi dukej se kishte kaluar mbi kokën e Matanovic. Më pas ai u devijua nga mbrojtësi portugez Renato Veiga dhe shkoi te Pasalic, i cili e pasoi në shtyllën e kundërt, aty ku Gvardiol e dërgoi në rrjetë.
Shpjegimi dhe teknologjia e FIFA-s
Sipas FIFA-s, sensorët e vendosur në top regjistruan kontaktin në çastin kur Matanovic kërceu, dhe kjo ishte e mjaftueshme që arbitri të sinjalizonte pozicion jashtë loje dhe të anulonte golin.
Nëse do të ishte vërtetuar se sulmuesi kroat nuk e kishte prekur topin, atëherë nuk do të ekzistonte pozicioni jashtë loje dhe goli do të quhej i rregullt. FIFA theksoi se teknologjia e konfirmoi këtë prekje.
“Sipas të dhënave nga teknologjia Connected Ball e vendosur brenda topit, u provua se lojtari i kombëtares kroate me numër 20, Igor Matanovic, bëri kontakt me topin në aksionin që i parapriu golit kundër Portugalisë. Kjo i lejoi gjyqtarit të vendoste saktë për pozicion jashtë loje dhe të anulonte golin”, thuhet në shpjegimin e FIFA-s.
Rregulli i kontaktit me flokët
Polemikat janë shtuar edhe nga pretendimi se arbitri i ka thënë Matanovicit se çipi kishte regjistruar një kontakt mes topit dhe flokëve të tij. Kjo ka ngritur diskutime mbi mënyrën se si rregullorja e FIFA-s i trajton raste të tilla. Në faqen zyrtare të FIFA-s jepet ky shpjegim:
“Flokët konsiderohen pjesë e trupit vetëm nëse ndikojnë në lëvizjen ose trajektoren e topit. Kjo ndoshta është vetëm në rastet e kontaktit të konsiderueshëm me një sasi të madhe flokësh, siç është një topuz në majë të kokës”, thuhet në sqarimin e FIFA-s. //


