FIFA ka konfirmuar dënimin me pesë ndeshje pezullim nga aktivitetet ndërkombëtare për mesfushorin e Katarit, Assim Madibo, pas ndërhyrjes që i shkaktoi thyerje të këmbës mesfushorit të Sassuolos, Ismael Kone.
Dëmtimi i Kone ndodhi gjatë triumfit 6-0 të Kanadasë ndaj Katarit në fazën e grupeve të Kupës së Botës. Futbollisti vlerësohej si një nga emrat që mund të realizonte një transferim të madh gjatë kësaj vere larg Sassuolos.
Në momentin e parë, Madibo u ndëshkua me karton të verdhë për faullin, por pas ndërhyrjes së VAR-it, arbitri ndryshoi vendimin dhe e përjashtoi me karton të kuq.
Pas episodit, Madibo së bashku me ministrin e Sportit të Katarit shkuan për ta vizituar Kone në spital.
Tani është bërë e ditur se lojtari katarian do të mungojë në pesë ndeshje ndërkombëtare si pasojë e asaj ndërhyrjeje.
Lëndimi i Kone rezultoi shumë i rëndë, por megjithatë nuk kanë munguar reagimet kritike për masën e ndëshkimit të vendosur ndaj Madibos.
Mediumi The Athletic e ka përshkruar pezullimin prej pesë ndeshjesh si “absurd”, duke theksuar se FIFA është ndikuar më shumë nga pasoja e faullit ndaj Kone sesa nga vetë ndërhyrja.
Edhe pse ndërhyrja u konsiderua e gabuar, vlerësimi i përgjithshëm është se Madibo nuk kishte synim të vinte në rrezik kundërshtarin. Më shumë besohet se ai gaboi në kohë dhe në vlerësim të aksionit.
Menjëherë sapo e kuptoi sa i rëndë ishte dëmtimi i Kone, mesfushori katarian u pa me duart në kokë dhe dukshëm i tronditur.


