Conference League

Fernando: “Tifozët janë lojtari ynë i 12-të”, Egnatia synon kualifikimin në Conference League

Egnatia e nisi aventurën në Conference League me një fitore 2-1 ndaj Lincoln Red Imps, falë golave të Alessandro Albaneses dhe Fernandos. Rrogozhinasit mund të kishin shënuar edhe më shumë, por tre pikët e marra janë më të rëndësishmet për ekipin. Fernando, autori i golit vendimtar, foli për…

Fernando: “Tifozët janë lojtari ynë i 12-të”, Egnatia synon kualifikimin në Conference League

Egnatia e nisi aventurën në Conference League me një fitore 2-1 ndaj Lincoln Red Imps, falë golave të Alessandro Albaneses dhe Fernandos. Rrogozhinasit mund të kishin shënuar edhe më shumë, por tre pikët e marra janë më të rëndësishmet për ekipin.

Fernando, autori i golit vendimtar, foli për “Newsport.al” pas sfidës. Reagimi i tij i përmbajtur pas rrjetës tërhoqi vëmendjen, ndërsa paraqitjet e tij pas dëmtimit të fundit tregojnë një formë dhe rol të ri në skuadër.

Ai po shënon gola me peshë, ndërsa karakteri i thjeshtë ka bërë që në Rrogozhinë të jetë një nga futbollistët më të dashur. Pas suksesit ndaj Red Imps, Fernando festoi duke vendosur plisin në kokë, duke shprehur emocionet e tij me kënaqësi të veçantë.

Fitorja historike ndaj Red Imps ishte një hap i rëndësishëm. Si po përjetohet kjo atmosferë në dhomën e zhveshjes?

Atmosfera është shumë pozitive. Megjithatë, vazhdojmë të jemi të përqendruar, i mbajmë këmbët në tokë dhe synojmë objektivin kryesor, që është kualifikimi.

Goli juaj erdhi në një moment shumë të rëndësishëm për ekipin. Si reaguan shokët e skuadrës pas tij?

U gëzuan shumë, njësoj si unë. Çdo ditë punoj fort për të qenë në nivelin më të mirë dhe për t’i dhënë skuadrës gjithçka që mundem. E di se cilat janë mundësitë e mia.

“Air Albania” u mbush me tifozë që ju mbështetën. Sa ndikoi kjo atmosferë në fitoren e Egnatias?

Pa diskutim, tifozët tanë janë lojtari i 12-të. Dua të përdor këtë rast për t’i falënderuar të gjithë tifozët shqiptarë për përkrahjen. Për ne, mbështetja e tyre është shumë e rëndësishme.

Pas këtij optimizmi për kualifikimin, fillimisht vjen përballja me Kauno Zalgiris dhe më pas ajo me Bragën. Sa pikë mendoni se mund të grumbullojë Egnatia?

Është ende herët për të bërë llogari të tilla. Tashmë e kemi përqendruar vëmendjen te kundërshtari i radhës, Elbasani, dhe do të përpiqemi ta analizojmë sa më mirë.

Për momentin, i gjithë fokusi ynë është te Abissnet Superiore. Jemi në Europë falë Abissnet Superiore, pasi ishte ky kampionat që na solli deri këtu. Prandaj, objektivi ynë kryesor tani mbetet Abissnet Superiore.

Ndeshja e ardhshme në kampionat është ndaj Elbasanit. A duhet të rikthehet Egnatia te fitorja në Abissnet Superiore?

Sigurisht. Do të dëgjojmë udhëzimet e trajnerit për përballjen me Elbasanin dhe do të hyjmë në fushë me synimin për të marrë tri pikët.