FFK paralajmëron tri investime të reja në Gjilan për stadiume dhe fusha sportive

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka njoftuar se në qytetin e Gjilanit do të zbatohen tri projekte të reja infrastrukturore me qëllim përmirësimin e kushteve për rritjen e futbollit në këtë rajon. Në një postim në rrjetet sociale, Ademi ka bërë të ditur se pas…

FFK paralajmëron tri investime të reja në Gjilan për stadiume dhe fusha sportive

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka njoftuar se në qytetin e Gjilanit do të zbatohen tri projekte të reja infrastrukturore me qëllim përmirësimin e kushteve për rritjen e futbollit në këtë rajon.

Në një postim në rrjetet sociale, Ademi ka bërë të ditur se pas përfundimit të punimeve për ndriçimin në stadiumin ndihmës të qytetit, aty ku ndeshjet i luajnë aktualisht skuadrat Drita dhe Gjilani, si dhe klubet e shkollat e futbollit, investimet do të vijojnë me tri projekte të tjera.

Projekti i parë përfshin shtrimin e një tapeti të ri sintetik në stadiumin ndihmës të Gjilanit, kurse investimi i dytë parashikon vendosjen e tapetit në fushën sportive që ndodhet në Zabelin e Sahit Agës.

Projekti i tretë, ndërkaq, lidhet me shtrimin e barit natyral në fushën e kampit stërvitor të FC Drita, duke krijuar kushte më të mira për përgatitjen e futbollistëve të klubit gjilanas.

Ademi ka njoftuar gjithashtu se, në partneritet me Komunën e Gjilanit, planifikohet ndërtimi i fushave të vogla sportive nëpër lagje dhe afër shkollave, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të disponojnë më shumë hapësira për t’u angazhuar me futboll.

Kreu i FFK-së ka nënvizuar se investimet infrastrukturore janë të rëndësishme për të ardhmen e futbollit, duke shtuar se puna do të vijojë në bashkëpunim me klubet, komunën dhe Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit.