Prania e mbretit dhe mbretëreshës në zhveshtore pas një ndeshjeje futbolli nuk është diçka që shihet shpesh. E gjithë skena bëhet edhe më e veçantë kur përfaqësuesja kryesore e vendit të tyre luan rreth 1.200 kilometra më larg.
Sidoqoftë, në këtë Kupë Bote, pothuajse asgjë nuk ka qenë e zakonshme për Curaçaon. Kombëtarja e vogël karaibiane arriti një barazim historik 0-0 ndaj Ekuadorit, duke siguruar pikën e parë në historinë e saj në pjesëmarrjet në Botëror.
Ekuadori e kontrolloi plotësisht sfidën, duke prodhuar gjithsej 27 goditje drejt portës, por pa mundur të gjente golin.
Njeriu i ndeshjes ishte portieri 37-vjeçar Eloy Room, i cili bëri 15 pritje dhe e mbajti portën e ekipit të tij të paprekur.
Pas disfatës së thellë 7-1 kundër Gjermanisë në takimin e parë, ky barazim u ndje si një sukses i jashtëzakonshëm për Curaçaon, ishullin me rreth 160 mijë banorë. Nga ana tjetër, Ekuadori e ndërlikoi ndjeshëm pozitën e tij përpara përballjes vendimtare me Gjermaninë.
Megjithatë, momentet që shpërthyen në rrjetet sociale ndodhën pas fishkëllimës përfundimtare. Shumëkush mbeti i surprizuar kur pa mbretin Willem-Alexander dhe mbretëreshën Maxima të Holandës duke festuar në zhveshtore me futbollistët e Curaçaos.
Shpjegimi lidhet me statusin kushtetues të ishullit. Edhe pse Curaçao ka parlamentin dhe qeverinë e tij, ai është një shtet përbërës brenda Mbretërisë së Holandës.
Kjo nënkupton se mbreti dhe mbretëresha e Holandës janë gjithashtu krerët zyrtarë të shtetit të Curaçaos.
Familja mbretërore pati një ditë të ngarkuar si tifoze. Fillimisht ishte në Houston për të ndjekur nga afër fitoren e thellë 5-1 të Holandës ndaj Suedisë, ndërsa sapo ajo ndeshje përfundoi, u nis drejt Kansas City për të mbështetur Curaçaon në duelin historik me Ekuadorin.
Pas kësaj pike të çmuar, mbreti Willem-Alexander dhe mbretëresha Maxima nuk mbetën në tribunën VIP.
Ata zbritën në zhveshtore, ku festuan dhe kërcyen me lojtarët dhe stafin teknik, në një skenë që shumë shpejt u bë virale në mbarë botën.


