Fenerbahçe ndodhet shumë afër kthimit të Vedat Muriqit në Stamboll. Sulmuesi kosovar pritet të jetë një nga afrimet më të rëndësishme të klubit turk në afatin kalimtar të verës, pasi negociatat mes palëve kanë bërë përparim të madh.
Pas përmbylljes së ristrukturimit në drejtimin e klubit, Fenerbahçe ka shtuar ritmin e punës për transferimet, ndërsa sipas TRT, emri i Muriqit vazhdon të jetë prioritet për fazën ofensive.
32-vjeçari kishte qenë në vëmendjen e klubit edhe në afatin kalimtar të dimrit, por në atë periudhë marrëveshja nuk u finalizua. Tani, pas ndarjes së tij me Mallorcën, rikthimi në Turqi duket më i afërt se asnjëherë më parë.
Sipas raportimeve nga Turqia, Muriqi ka hedhur poshtë oferta nga NEOM dhe Orlando City, duke vendosur në plan të parë rikthimin te Fenerbahçe. Raportohet se verdheblutë kanë arritur një marrëveshje paraprake si me futbollistin, ashtu edhe me klubin spanjoll.
Muriqi kaloi katër vjet e gjysmë te Mallorca, periudhë në të cilën përjetoi fazën më të suksesshme të karrierës së tij. Vetëm në sezonin 2025/26, ai shënoi 23 gola në 37 paraqitje, duke u renditur ndër sulmuesit më efikasë të kampionatit.
Në total, përfaqësuesi i Kosovës realizoi 58 gola në 155 ndeshje me fanellën e Mallorcës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e klubit spanjoll.


