Endri Zenelaj, ish-mesfushor i Kombëtares U19, është vënë në qendër të vëmendjes në Itali pas një reagimi të fortë publik.
Futbollisti 23-vjeçar, i cili aktivizohet te Martina në Serie D italiane, nuk ka mundësi të luajë në nivelet më të larta të futbollit profesionist në Itali për shkak të pasaportës shqiptare. Kjo situatë e ka revoltuar mesfushorin, i cili ka zgjedhur ta shprehë pakënaqësinë përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Prej vitesh punoj, stërvitem dhe bëj sakrifica që të ndjek ëndrrën që të bëhem një futbollist profesionist. E kam treguar vlerën time në fushë, duke luajtur dhe duke dhënë gjithçka nga vetja ime çdo ditë.
E megjithatë, sot, pengesa ime më e madhe nuk është një kundërshtar, nuk është një dëmtim dhe nuk është mungesa e impenjimit. Pengesa ime është kombësia.
Të di që rrugëtimi im mund të kufizohet jo për atë që bëj në fushë por për çështje burokratike, është diçka që të dhemb. Do të vazhdoj të luftoj për ëndrrën time”, shkruhej në mesazhin e Zenelajt.


