Caktimi nga FIFA i një trupe prej pesë gjyqtarësh argjentinas për çerekfinalen e Kupës së Botës 2026 mes Francës dhe Marokut ka hapur një debat të gjerë në rrjetet sociale.
Ndeshja Francë–Marok konsiderohet si një nga përballjet më të shumëpritura të çerekfinaleve, ndërsa skuadra që kualifikohet prej saj mund të ndeshet me Argjentinën vetëm në finale. Duke pasur parasysh rivalitetin mes Francës dhe Argjentinës, si edhe finalen e fundit mes tyre, shumë tifozë kanë shprehur dyshimet e tyre.
Në krye të ekipit të arbitrave do të jetë Facundo Tello, ndërsa edhe pjesa tjetër e stafit të ndeshjes është nga Argjentina.
Pikërisht ky emërim ka nxitur reagime të shumta nga tifozët, të cilët e kanë lidhur vendimin me faktin se Argjentina vazhdon të jetë ende në garë për trofeun e madh.
Reagimet në rrjete sociale kanë qenë të forta. Një pjesë e përdoruesve e kanë cilësuar këtë përzgjedhje si një rastësi të pazakontë, ndërsa të tjerë kanë pretenduar se FIFA po krijon rrethana të favorshme për Argjentinën dhe Lionel Messi në rrugëtimin drejt një tjetër trofeu botëror.
Disa tifozë kanë shkruar se vendimi “po bëhet gjithnjë e më i dukshëm”, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për favorizim ndaj Argjentinës.
Të tjerë kanë përdorur ironi duke thënë se FIFA “nuk po përpiqet më ta fshehë”, ndërsa disa komente kanë shkuar edhe më tej, me akuza për korrupsion dhe manipulim ndaj institucionit.
Megjithatë, deri në këtë moment FIFA nuk ka dalë me ndonjë reagim publik lidhur me polemikat e shpërthyera pas emërimit të gjyqtarëve.


