Edon Zhegrova duket shumë pranë ndarjes me Juventusin, pasi largimi i tij nga klubi torinez konsiderohet tashmë pothuajse i sigurt. Sulmuesi i Kosovës nuk arriti të justifikojë plotësisht pritshmëritë te “bardhezinjtë”, ndaj drejtuesit janë të gatshëm të shqyrtojnë ofertat për shitjen e tij.
Sipas medias italiane “La Nazione”, interesi më i fundit për Zhegrovën vjen nga Fiorentina. Klubi “vjollcë” mund të dalë shumë shpejt me një ofertë konkrete për të marrë shërbimet e dardanit.
Në të njëjtën kohë, Juventusi synon të arkëtojë 10 milionë euro nga një transferim i mundshëm, një shumë që konsiderohet e përballueshme për Fiorentinën.
Vlen të kujtohet se pikërisht Fiorentina i komplikoi planet e Juventusit në garën për një vend në Champions League. Humbja 0-2 në përballjen vendimtare rezultoi fatale për “Zonjën e Vjetër”, që njësoj si Milani, e mbylli sezonin vetëm me kualifikimin në Europa League.











