“E patë pritjen që bëri në minutën e fundit? Aro Muric është top portier” – trajneri i Burnleyt me fjalë të mëdha pas gabimit të portierit kosovar

Lajme

Arijanet Muric ka bërë një gabim të rëndë që i kushtoi Burnleyt me pikë në sfidën ndaj Brighton.

Burnley ishte duke fituar, por paraqitja spektakolare e Muric u zbeh në minutat e fundit të ndeshjes, kur ai në tentim për ta ndalur topin me këmbë shënoi autogol duke u barazuar shifrat në 1-1.

Gjithsesi Muric bëri një ndeshje të madhe përveç gabimit duke bërë disa pritje të jashtëzakonshme dhe në fundin e ndeshjes shpëtoi Burnleyn nga humbja.

Trajneri i Burnleyt, Vincent Kompany ishte i dënuar dhe në vend të tij doli në konferencë ndihmës trajneri Craig Bellamy, ish-sulmuesi i famshëm uellsian.

Bellamy e ka mbështetur Aron, duke thënë se nuk ishte gabimi i portierit, por ishte gabimi i tyre dhe ai është stili i lojës së tyre që nuk do të ndryshojë kurrë.

“Jemi ne. Nuk është gabimi i Aros, është gabimi ynë. A e quani gabim? Unë nuk e di. Kështu luajmë ne dhe ne nuk do të ndryshojmë”, tha fillimisht Bellamy.

“Ai na ka shpëtuar duke pritur shumë gola për ne duke bërë atë që ai bën më së miri, kështu që është një prej tyre. Nuk është një çështje. Ju mund ta gjeni më shumë problem, por sinqerisht nuk e kam. Unë me të vërtetë nuk e bëj këtë problem”, vazhdoi tutje Bellamy.

“Kështu na pëlqen të luajmë futboll. Mund të mos jetë për të gjithë. Ne nuk jemi këtu për t’i kënaqur të gjithë, por ne besojmë në këtë mënyrë futbolli. Ndoshta po tregohem naiv ose ndoshta jam unë ai që besoj në ylber dhe njëbrirësh dhe në fakt më ka shkuar në kokë, por në të njëjtën kohë nuk kam asnjë problem me Aron. Është në top”, tha Bellamy.

Ish-sulmuesi i famshëm uellsian tha se Aro Muric është një top portier dhe ata vazhdojnë të kenë besim në të.

“Ne do t’i themi Aros merre sërish topin, kërko sërish pasimin. E patë shpëtimin që bëri në minutën e fundit? Është top portier. Ky për mua është një portier”, tha Bellamy.

“Ne të gjithë bëjmë gabime. Kushdo në këtë dhomë, kushdo kudo bën gabime. Kjo është mënyra se si ju përgjigjeni prej saj. Për mua nuk kam asgjë tjetër veç lavdërimit për Aron edhe më shumë sepse ai është i gatshëm të vazhdojë. Mos u shqetësoni për këtë, kjo është jeta”, përfundoi ndihmës trajneri i Burnleyt.

25-vjeçari ka mbrojtur si titullar në pesë ndeshje në Ligën Premier dhe gjithmonë paraqitja e tij është vlerësuar, madje në sfidën ndaj Chelseat ai mori notën 10 falë pritjeve të jashtëzakonshme që bëri në Stamford Bridges. /Telegrafi/



sport,Aro Muric,Burnley,Premier League , Aro Muric,Burnley,Premier League

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *