Diallo hero në fund të ndeshjes, Bregu i Fildishtë mposht Ekuadorin

Lajme

Bregu i Fildishtë e ka nisur me fitore Kampionatin Botëror 2026, pasi mposhti Ekuadorin me rezultat minimal 1-0 në një ndeshje shumë të luftuar, ku goli vendimtar erdhi vetëm në minutën e fundit.

Pjesa e parë foli më shumë për Ekuadorin, i cili krijoi rastet më të mira për shënim, por pa arritur të tundë rrjetën. Moises Caicedo provoi që në minutën e dytë nga distanca, por pa sukses.


Në minutën e 11-të, Enner Valencia shpërdoroi një mundësi të artë pas një gabimi të mbrojtjes afrikane, ndërsa John Yeboah (24’) dhe Alan Minda (30’) u ndalën nga traversa.

Në këtë pjesë u pa edhe zbatimi i një rregulli të ri të FIFA-s. Caicedo u bë lojtari i parë në këtë Botëror që u detyrua të qëndronte jashtë fushës për një minutë pasi mori ndihmë mjekësore, duke protestuar ndaj vendimit. Nga ana tjetër, loja e ashpër e Bregut të Fildishtë solli kartonë të verdhë për Seko Fofana, Franck Kessie dhe Guele Doue. Pavarësisht dominimit të Ekuadorit, pjesa e parë u mbyll pa gola.

Edhe pjesa e dytë nisi me vrull për ekipin e Amerikës së Jugut. Vetëm një minutë pas rifillimit, Valencia goditi shtyllën nga një kënd i vështirë, duke regjistruar goditjen e tretë të skuadrës së tij në strukturën e portës. Në minutën e 52-të reagoi edhe Bregu i Fildishtë, kur Yan Diomande harkoi në zonë dhe Elye Wahi goditi traversën nga afër.

Një nga figurat kryesore të takimit ishte 19-vjeçari Yan Diomande. Talenti i madh, që po monitorohet nga klubet më të mëdha evropiane dhe vlerësohet rreth 90 milionë euro, shkëlqeu me driblimet dhe depërtimet e tij, duke i shkaktuar shumë probleme mbrojtjes ekuadoriane.

Me kalimin e minutave ritmi i lojës ra për shkak të zëvendësimeve dhe pushimeve për freskim, ndërsa gjithçka po shkonte drejt një barazimi pa gola. Megjithatë, në minutën e 90-të erdhi momenti vendimtar.

Qendërmbrojtësi Wilfried Singo realizoi një depërtim fantastik nga krahu i djathtë dhe dërgoi një top të ulët në zonë, ku Amad Diallo u gjend në vendin e duhur për ta shtyrë në rrjetë dhe për t’i siguruar Bregut të Fildishtë tri pikët e para në Botërorin 2026.

Falë këtij goli të vonë, ekipi afrikan e nisi me fitore aventurën botërore, ndërsa Ekuadori mund të pendohet gjatë për rastet e shumta të humbura. /Telegrafi/

Promo