De la Fuente i bindur: Julian Alvarez do t’i hynte menjëherë në punë Spanjës

Lajme

Trajneri i kombëtares së Spanjës, Luis de la Fuente, ka thënë se Julian Alvarez është futbollisti i Argjentinës që do ta afronte pa asnjë vonesë te përfaqësuesja spanjolle, disa vite pasi kishte tërhequr vëmendje në opinionin futbollistik duke e votuar sulmuesin në çmimet FIFA “The Best” 2022 përpara Lionel Messit.

Numri një i stolit të “Furisë së Kuqe” prej kohësh e vlerëson talentin nga Amerika e Jugut, i cili tani është në krye të repartit ofensiv të Atletico Madridit, duke e parë si elementin që i mungon projektit të tij te kombëtarja kampione e Evropës.


Trajneri spanjoll ka qenë gjithmonë i hapur për prirjet e tij taktike, ndërsa komenti i tij më i fundit për sulmuesin e Atlético Madridit ka sjellë reagime në arenën ndërkombëtare të futbollit.

Në një intervistë për COPE, ai u pyet se cili yll i futbollit botëror do të donte më shumë të natyralizohej ose të bashkohej me kombëtaren e Spanjës. Pa u menduar gjatë, ai përmendi Alvarezin.

Ai nënvizoi se profili i 26-vjeçarit përputhet plotësisht me filozofinë e tij të lojës, duke lënë të kuptohet se ai do të shkëlqente në skemën aktuale të ekipit.

“Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Nuk kam gabuar kur e kam votuar më parë. Sipas mënyrës si e mendoj lojën, Juliani do të përshtatej në mënyrë të përkryer; do të ishte një futbollist shumë i rëndësishëm”, deklaroi De la Fuente.

Nuk është hera e parë që tekniku spanjoll shpreh publikisht admirim për ish-sulmuesin e Manchester Cityt.

Pas suksesit të Argjentinës në Kupën e Botës në Katar, vota e tij në çmimet e FIFA-s kishte hapur debat të madh ndërkombëtar, pasi kishte lënë mënjanë disa figura legjendare të futbollit.

Sidoqoftë, De la Fuente ka bërë të qartë se bindja e tij për cilësitë e nivelit elitar të sulmuesit ka mbetur e pandryshuar me kalimin e viteve.

Promo