Përfaqësuesja e Brazilit do të zbresë edhe një herë në fushë pa yllin e saj kryesor, Neymar, në ndeshjen e dytë të Kupës së Botës 2026.
Sulmuesi brazilian vazhdon të përballet me probleme fizike dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Carlo Ancelotti për përballjen ndaj Haitit.
Pas barazimit 1-1 kundër Marokut në takimin e parë të turneut, Brazili synon fitoren e parë pa numrin 10 të skuadrës, i cili ende nuk e ka mbyllur procesin e rikuperimit.
Lajmi është konfirmuar nga Konfederata Braziliane e Futbollit përmes një deklarate zyrtare.
“Lojtari Neymar nuk do të udhëtojë me delegacionin drejt Filadelfias. Ai do të qëndrojë në New Jersey për të optimizuar fazën e fundit të rikuperimit, duke përfituar nga kushtet dhe infrastruktura në dispozicion në Hotel The Ridge dhe Columbia Park CT”, thuhet në njoftimin e CBF-së.
Kjo do të jetë ndeshja e dytë radhazi që Neymar mungon në këtë Kupë Bote, pavarësisht optimizmit që kishte shfaqur një ditë më parë gjatë një seance stërvitore.
“A ju kam munguar?”, u shpreh ai me humor para gazetarëve të pranishëm, duke lënë të kuptohej se rikthimi i tij mund të ishte pranë.
Megjithatë, aktivizimi i tij ndaj Haitit konsiderohej i vështirë, pasi braziliani ende nuk është stërvitur me pjesën tjetër të grupit.
Aktualisht, ai po ndjek një program individual rikuperimi nën mbikëqyrjen e stafit fizik të kombëtares, duke punuar veçmas edhe me top.
Sipas raportit mjekësor të publikuar më herët, Neymar pritej të mungonte për një periudhë prej dy deri në tre javësh. Deri tani kanë kaluar rreth 20 ditë nga lëndimi, gjë që shton shpresat se ai mund të jetë gati për ndeshjen e tretë të fazës së grupeve ndaj Skocisë.
Stafi teknik i Brazilit nuk dëshiron të marrë asnjë rrezik me gjendjen e sulmuesit dhe objektivi kryesor mbetet kthimi i tij në formën më të mirë të mundshme për fazën vendimtare të turneut.


