Barcelona pret sinjalin e Julian Alvarezit para se të nisë lëvizjet për transferimin

Barcelona pret sinjalin e Julian Alvarezit para se të nisë lëvizjet për transferimin

Lajme

Julian Alvarez mbetet një nga emrat që Barcelona e ka vendosur lart në listën e objektivave për merkaton, por Mundo Deportivo raporton se klubi katalanas nuk do të kalojë në veprime konkrete pa një shenjë të qartë publike nga vetë sulmuesi argjentinas.

Në ambientet e Camp Nou emri i tij vazhdon të qarkullojë shpesh, por për momentin situata nuk ka lëvizur, pasi fokusi i lojtarit është tërësisht te Kupa e Botës 2026 me Argjentinën.

Sipas këtij raportimi, drejtuesit e Barcelonës vlerësojnë se hapi i radhës duhet të vijë nga vetë futbollisti, i cili deri më tani ka zgjedhur të mos bëjë asnjë koment për të ardhmen e tij në nivel klubesh.

Prej javësh, Alvarez i ka shmangur të gjitha diskutimet rreth merkatos dhe është përqendruar vetëm te ndeshjet me Argjentinën në Botërorin që po luhet në Amerikën e Veriut.

Barcelona e di se bisedimet me Atletico Madridin do të ishin tejet të ndërlikuara. Skuadra madrilene, e udhëhequr nga Diego Simeone, nuk e sheh me dëshirë forcimin e një rivali të drejtpërdrejtë në La Liga, çka e vështirëson edhe më shumë gjithë operacionin.

Për këtë arsye, drejtuesit katalanas besojnë se një deklaratë publike ose një sinjal i hapur nga Alvarez për dëshirën e tij që të transferohet në Camp Nou do të mund ta zbutte pozicionin e Atleticos dhe të hapte rrugën për një marrëveshje gjatë kësaj vere.

Aktualisht, gjithçka mbetet pezull, ndërsa Barcelona po e ndjek nga afër gjendjen e sulmuesit argjentinas, me shpresën se pas mbylljes së Botërorit kjo çështje do të marrë zhvillime konkrete.

Promo