Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, thuhet se është i përfshirë në planifikimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm, së bashku me drejtorin sportiv Deco.
Përkundër kësaj, Barcelona momentalisht nuk është duke punuar për transferimin e njërit prej lojtarëve që Xavi ‘e do’ shumë.
Krahas thashethemeve se Barcelona do të tentojë transferimin e yllit të Manchester Cityt, Bernardo Silva, blaugranasit duket se kanë kthyer vëmendjen e tyre tek mesfushori i Villarrealit, Alex Baena.
Gazetari Matteo Moretto ka konfirmuar se Barcelona e ka konsideruar mundësinë për të nënshkruar me spanjollin edhe në të kaluarën, teksa ka shtuar se Xavi është ‘i dashuruar’ me talentin e tij.
Megjithatë, klauzola e tij e lirimit prej 60 milionë eurosh me shumë mundësi do të jetë pengesa kryesore e blaugranasve, dhe madje edhe nëse Villarreali pranon që të negociojë për uljen e çmimit, do të ketë oferta edhe nga Liga Premier, të cilët janë më të fuqishëm në aspektin financiar.
Këtë sezon, Baena ka regjistruar statistika mjaft impresive, duke shënuar 5 gola dhe duke dhuruar 13 asistime në 38 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.
Baena është gjithashtu asistuesi më i mirë në elitën e futbollit spanjoll me nëntë asistime, një më shumë se Robert Lewandowski dhe Nico Williams.
22-vjeçari falë paraqitjeve të tij të mira kishte marrë ftesën nga Spanja në shtator të vitit të kaluar, ndërsa ishte ftuar përsëri në mars. /Telegrafi/
sport,BARCELONA,la liga , BARCELONA,la liga