Barcelona vijon të ndjekë me kujdes talentet e rinj për të përforcuar ekipin në të ardhmen, ndërsa emri më i fundit që ka hyrë në radarët e klubit katalanas është mesfushori i Lille, Ayyoub Bouaddi.
Drejtuesit sportivë të klubit, nën drejtimin e Deco-s, janë duke punuar për të afruar lojtarë të rinj që mund të ofrojnë ekuilibër, inteligjencë taktike dhe cilësi në mesfushë për sezonet që vijnë.
Megjithatë, Barcelona e di se sigurimi i shërbimeve të 18-vjeçarit nuk do të jetë aspak i thjeshtë, pasi ai ndiqet edhe nga disa prej klubeve më të mëdha në Evropë.
Në këtë moment, Arsenali dhe Paris Saint-Germain shihen si favoritët kryesorë në garën për talentin franko-maroken, ndërsa interes për të kanë shfaqur gjithashtu Liverpooli, Manchester City, Chelsea, Manchester United, Bayern Munich dhe Real Madridi.
Bouaddi ka rënë në sy jo vetëm për paraqitjet e tij në fushë, por edhe për cilësitë e tij intelektuale.
Ai vlerësohet si një futbollist me mendësi analitike dhe me aftësi të veçanta për ta lexuar lojën, duke menaxhuar hapësirat dhe ritmin e ndeshjes me një pjekuri të pazakontë për moshën që ka.
I lindur në Francë dhe me prejardhje marokene, ai bëri debutimin në futbollin profesionist në moshën 16-vjeçare dhe që nga ajo kohë është kthyer në një nga talentet më premtues të futbollit evropian.
Sa i përket një transferimi të mundshëm, Lille nuk synon të heqë dorë lehtë nga ylli i vet. Raportohet se klubi francez kërkon nga 70 deri në 80 milionë euro për kartonin e mesfushorit, i cili ka kontratë edhe për tri sezone të tjera.
Arsenali mësohet se ka dorëzuar një ofertë prej 60 milionë eurosh, por ajo është refuzuar nga drejtuesit e Lille.
Më herët, vetë futbollisti kishte refuzuar mundësinë për t’iu bashkuar PSG-së, duke zgjedhur një ambient ku do të kishte më shumë hapësirë për zhvillim dhe më shumë minuta në fushë.
Pas një sezoni shumë të mirë me 30 paraqitje në kampionatin francez, Bouaddi po e pret me kujdes vendimin e ardhshëm në karrierën e tij.
Sipas vlerësimeve të tregut, vlera e tij aktuale është rreth 50 milionë euro, por konkurrenca e fortë mes klubeve të interesuara mund ta shtyjë ndjeshëm çmimin e tij gjatë kësaj vere.


