Barazimi Iran – Belgjikë në Botërorin 2026 shoqërohet me tensione politike dhe incidente sigurie

Barazimi Iran – Belgjikë në Botërorin 2026 shoqërohet me tensione politike dhe incidente sigurie

Lajme

Irani bëri një tjetër hap drejt kualifikimit në raundin pasues të Kupës së Botës 2026, pasi mbylli në barazim pa gola, 0:0, ndeshjen ndaj Belgjikës në Los Anxhelos.

Por, njësoj si në sfidat e mëhershme të këtij turneu, fokusi nuk mbeti vetëm te loja, pasi përballja u shënua edhe nga tensione politike dhe episode të lidhura me sigurinë.

Qindra protestues u mblodhën jashtë stadiumit në Los Anxhelos për të kundërshtuar regjimin iranian, ndërsa brenda impiantit u shfaqën si flamujt zyrtarë të Iranit, ashtu edhe flamujt historikë me luanin dhe diellin, simbole të periudhës para revolucionit të vitit 1979. Në tribuna ishin të pranishëm edhe tifozë belgë.

Pas mbylljes së takimit, të paktën një person u arrestua pasi u përpoq të hynte në fushë i veshur me një fanellë që mbante simbolikën e flamurit iranian të kohës para Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Gjithashtu, jashtë stadiumit u raportua një përplasje mes një tifozi dhe protestuesve, ndërsa një person u dërgua me autoambulancë.

Tensionet kishin nisur edhe përpara fillimit të ndeshjes. Zyrtari amerikan i sigurisë së brendshme, Markwayne Mullin, tha se autoritetet kishin ndaluar hyrjen në SHBA të një personi me lidhje të drejtpërdrejta me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Federata Iraniane e Futbollit reagoi menjëherë, duke i quajtur këto pretendime “plotësisht të pavërteta”.

“Pretendimi se një përfaqësues zyrtar i Federatës Iraniane të Futbollit tentoi të hynte në Shtetet e Bashkuara dhe u ndalua nga autoritetet është një gënjeshtër e hapur dhe e padiskutueshme”, thuhej në deklaratën e federatës.

Në një prononcim për Fox News, Mullin deklaroi se shumica e kombëtareve udhëtojnë me rreth 120 persona, ndërsa Iranit iu lejua një delegacion me vetëm 53 anëtarë. Sipas tij, personat e tjerë për të cilët ishte kërkuar vizë kishin lidhje me IRGC-në dhe nuk ishin pjesë e delegacionit të zakonshëm sportiv.

Këto akuza u hodhën poshtë nga federata iraniane, e cila theksoi se ato nuk mbështeten në asnjë provë dhe se përbëjnë një përpjekje për të arsyetuar trajtimin diskriminues ndaj përfaqësueses së Iranit.

Gjatë gjithë turneut, Irani ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për përfshirjen e çështjeve politike në pjesëmarrjen e tij sportive.

Më herët, futbollistët dhe stafi teknik kishin shfaqur pakënaqësi për ndryshimet në organizimin e udhëtimeve, si edhe për ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të disa zyrtarëve dhe anëtarëve të stafit.

Federata ka bërë të ditur se do të dorëzojë një ankesë zyrtare në FIFA.

Mesfushori Alireza Jahanbakhsh u shpreh se skuadra synon të përqendrohet vetëm te futbolli dhe te ndeshja e ardhshme ndaj Egjiptit në Seattle.

“Nuk po kërkojmë asgjë më shumë. Kërkojmë vetëm të trajtohemi njësoj si të gjitha 47 kombëtaret e tjera”, deklaroi ai.

Promo