Guvernatori Trajko Sllaveski deklaroi se rritja e normave të interesit për kreditë është një zgjidhje më e pranueshme sesa përshpejtimi i inflacionit. Sa u takon paralajmërimeve për shtim të provizioneve nga tri banka të mëdha dhe një bankë më e vogël, ai tha se Banka Popullore nuk konstaton arsye që të ndodhë një rritje e tillë.
Banka Popullore ka vendosur ta rrisë normën bazë të interesit me 0,25 pikë përqindjeje, duke e çuar atë në 4,25%, nga 4% që ishte më herët. Kjo normë konsiderohet një sinjal për bankat që edhe ato të lëvizin lart normat e interesit, por, sipas guvernatorit Trajko Sllaveski, vendimi afarist mbetet përgjegjësi e bankave komerciale dhe ndikimi i kësaj mase zakonisht ndihet me vonesë.
Në konferencën e sotme për shtyp, guvernatori tha se që nga fillimi i vitit është vërejtur rritje e kërkesës për valuta të huaja nga sektori korporativ, çka ka imponuar një prani më të shtuar të Bankës Popullore në tregun valutor. Ai nënvizoi se prej fillimit të majit është evidentuar stabilizim i kësaj kërkese, ndërsa të dhënat më të fundit japin më shumë besim për një qetësim të afërt të konfliktit në Lindjen e Mesme. Megjithatë, sipas tij, efektet ekonomike të zhvillimeve gjeopolitike vazhdojnë të jenë të pranishme dhe paqartësitë për ritmin e stabilizimit të plotë të flukseve ekonomike mbeten burim rreziku.
Ai theksoi gjithashtu se parashikimet më të fundit për çmimet e importit sinjalizojnë inflacion më të lartë të importuar, si dhe rritje të moderuar të çmimeve të energjisë dhe të një pjese të produkteve ushqimore, në kushtet e pasigurisë së vazhdueshme.
Sipas Sllaveskit, megjithëse pritjet e konsumatorëve për rritjen e çmimeve në periudhën e ardhshme janë disi më të zbutura krahasuar me muajin e kaluar, rreziqet që lidhen me inflacionin mbeten kryesisht në kahun rritës.
Ai shtoi se normat e ulëta të interesit, edhe pse të mirëpritura, nxisin inflacionin dhe pasojat më të mëdha i ndjejnë shtresat më të varfra.
“Më mirë norma më të larta interesi sesa rritje e inflacionit”, u shpreh prerazi guvernatori.
Sipas tij, mënyra se si bankat do t’i përcaktojnë normat e ardhshme të interesit varet nga disa faktorë.


