Ballkani e ka bërë të ditur zyrtarisht afrimin e sulmuesit anësor, Lorik Dobratiqi, i cili i bashkohet skuadrës si futbollist i lirë pasi i përfundoi kontrata me Prishtinën e Re.
Klubi nga Theranda e komunikoi sot (e enjte), gjatë ditës, transferimin e dytë për këtë verë. Bëhet fjalë për sulmuesin Lorik Dobratiqi.
“FC Ballkani ka kënaqësinë të prezantojë sulmuesin anësor Lorik Dobratiqi, i cili ka nënshkruar kontratë trevjeçare me ekipin tonë dhe do të jetë pjesë e klubit deri në verën e vitit 2029”.
“Dobratiqi luan në krahun e majtë të sulmit. Pritet të shtojë konkurrencën, por edhe cilësinë në repartin ofensiv të ekipit tonë! Mirë se vjen në familjen e madhe të FC Ballkanit, Lorik!”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.
Tre herë kampionët e Kosovës, ndërkohë, para disa ditësh kishin konfirmuar edhe transferimin e mesfushorit Edvin Kuç, i cili ka qenë kapiten dhe njëri nga lojtarët më të rëndësishëm në epokën e artë të Ballkanit.


