Mohamed Salah është vendosur në krye të dëshirave të Atletico Madrid për merkaton e verës, sipas raportimeve që vijnë nga Spanja.
Ylli 33-vjeçar i sulmit ndodhet aktualisht pa skuadër, pasi mbylli pas nëntë sezonesh rrugëtimin e tij legjendar në “Anfield”, duke u kthyer kështu në një nga futbollistët më të kërkuar në treg.
Mediumi spanjoll Fichajes raporton se drejtuesit e klubit madrilen janë të vendosur të realizojnë një transferim të bujshëm dhe e kanë identifikuar Salahun si objektivin kryesor për edicionin e ardhshëm.
Te “Los Colchoneros”, kapiteni i Egjiptit shihet si alternativa ideale për të mbushur boshllëkun e lënë nga largimi i Antoine Griezmann, ndërsa synimi mbetet rikthimi i ekipit në luftën për trofetë më të rëndësishëm në Spanjë dhe në Evropë.
Ndonëse egjiptiani është lojtar i lirë dhe për kartonin e tij nuk nevojitet pagesë transferimi, Atletico do të duhet të paraqesë një propozim të fuqishëm financiar për ta bindur të zhvendoset në kryeqytetin spanjoll.
I njëjti raport thekson se struktura sportive e klubit vlerëson jashtëzakonisht shumë karrierën e tij, eksperiencën, lidershipin dhe mentalitetin fitues. Brenda Atleticos ekziston bindja se Salah ka profilin e duhur për të drejtuar fazën sulmuese dhe për të marrë përgjegjësi në përballjet më të mëdha evropiane.
Po ashtu, edhe Diego Simeone raportohet se e sheh ardhjen e Salahut si “goditjen më të madhe të verës”, duke qenë i bindur se ai mbetet një lojtar i nivelit botëror pavarësisht moshës.
Nëse bëhet pjesë e skemës së Simeones, prania e tij pritet t’i sjellë menjëherë më shumë krijimtari, cilësi dhe efikasitet repartit ofensiv të Atleticos, që ka nevojë për një lider me përvojë dhe aftësi për të bërë diferencën në hapësira të ngushta.


