Barcelona mund të marrë një goditje të fortë në garën për transferimin e Julian Alvarez, pasi raportimet më të fundit nga El Chiringuito TV thonë se Atletico Madridi ka arritur një marrëveshje me Arsenalin për shitjen e sulmuesit argjentinas.
Sipas këtyre raportimeve, klubi nga Madridi ka pranuar një ofertë prej 50 milionë eurosh plus Viktor Gyokeres, i cili do t’i bashkohej Atletico Madridit si pjesë e këtij operacioni.
Gjithashtu, thuhet se presidenti i Atletico Madridit, Gil Marin, ka kontaktuar personalisht presidentin e Barcelonës, Joan Laporta, për ta informuar se klubi i tij nuk synon ta shesë Alvarezin te një kundërshtar direkt në La Liga.
Nëse këto raportime dalin të sakta, atëherë kjo do të përbënte një goditje të madhe për Barcelonën, e cila prej muajsh e sheh argjentinasin si një nga objektivat kryesorë për repartin e sulmit.
Një situatë e tillë mund ta shtyjë klubin katalanas të përqendrohet te opsione të tjera në merkato, ndërsa drejtuesit vijojnë kërkimet për një sulmues që mund të përforcojë skuadrën e Hansi Flick.
Megjithatë, mbetet ende për t’u parë edhe qëndrimi i vetë Alvarezit. Sulmuesi argjentinas raportohet se është i interesuar për një kalim te kampioni i La Ligas, çka mund të ketë peshë të madhe në vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij.
Aktualisht nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Atletico Madridi, Arsenali apo përfaqësuesit e lojtarit, ndërsa saga e transferimit të Julian Alvarez vazhdon të mbetet një nga temat më të nxehta të afatit kalimtar veror./


