Bilanci i Lionel Scalonit në drejtimin e Argjentinës është thuajse perfekt. Në tre turne madhorë, ai ka fituar tre trofe, duke e çuar “La Albiceleste” te suksesi në Kupën e Botës 2022, mes dy triumfeve në Copa America, në vitet 2021 dhe 2024.
Për një trajner që mori në dorë kombëtaren në eksperiencën e tij të parë si teknik kryesor, ajo që ka arritur mbetet e jashtëzakonshme.
Tashmë sfida e radhës është edhe më e madhe: mbrojtja e titullit botëror në Kupën e Botës 2026.
Vetëm Italia e viteve 1934 dhe 1938, si edhe Brazili i udhëhequr nga Pele në 1958 dhe 1962, kanë mundur të fitojnë dy Botërorë njëri pas tjetrit. Pikërisht për këtë, Argjentina kërkon të futet në histori.
Kampionët në fuqi zakonisht hasin vështirësi
Historia e Kupës së Botës dëshmon se mbrojtja e trofeut është ndër misionet më të vështira në futboll. Gjermania u ndal në fazën e grupeve në 2018, Spanja në 2014, Italia në 2010 dhe Franca në 2002.
Vetëm Franca e Didier Deschamps në Katar 2022 arriti të mbërrinte deri në finale si kampione në fuqi.
Megjithatë, formati i ri me 48 ekipe dhe një short relativisht i favorshëm i japin Argjentinës një shans real për të bërë sërish rrugë të gjatë në turne.
Por për ta realizuar këtë, Scaloni mund të detyrohet të bëjë diçka që nuk e ka bërë shpesh: t’u japë më shumë hapësirë lojtarëve të rinj.
E njëjta bazë që fitoi Botërorin
Argjentina ka mbërritur drejt Botërorit 2026 me pothuajse të njëjtin grup që ngriti trofeun në Katar.
Nga 26 futbollistët e grumbulluar, 17 kanë qenë pjesë e skuadrës kampione të vitit 2022. Madje, nga formacioni titullar që nisi finalen ndaj Francës, mungon vetëm Angel Di Maria, i cili u tërhoq nga kombëtarja pas fitores në Copa America 2024.
Kjo vazhdimësi ka qenë një nga pikat më të forta të Scalonit. Shumica e lojtarëve aktivizohen së bashku prej më shumë se pesë vitesh dhe kanë ndërtuar një lidhje të fortë brenda grupit.
Megjithatë, ekziston një rrezik i madh: koha nuk kursen askënd.
Mosha po kthehet në shqetësim
Nëntë lojtarë të skuadrës aktuale janë mbi 30 vjeç. Mes tyre spikasin emra të rëndësishëm si Emiliano Martinez, Rodrigo De Paul dhe, natyrisht, Lionel Messi, i cili gjatë këtij Botërori do të mbushë 39 vjeç.
Nga ana tjetër, vetëm tre futbollistë të grupit janë nën 25 vjeç: Giuliano Simeone, Valentin Barco dhe Nico Paz.
Kjo hendek i madh mes brezave ka ngritur dyshime nëse Argjentina ka bërë mjaftueshëm për të përgatitur pasuesit e gjeneratës së artë.
Mungesa në listë e talenteve si Franco Mastantuono dhe Alejandro Garnacho i ka shtuar edhe më shumë debatet.
Lodhja mund të peshojë në momentet kyçe
Përveç moshës, një tjetër shqetësim lidhet me ngarkesën e madhe fizike që kanë përballuar shumë prej lojtarëve kryesorë. Copa America, Botërori 2022, sezoni i gjatë me klubet dhe pjesëmarrja në Kupën e Botës për Klube kanë lënë pasoja.
Enzo Fernandez dhe Julian Alvarez kanë regjistruar nga 121 ndeshje për klubet dhe kombëtaren që prej nisjes së sezonit 2024/25.
Alvarez pati probleme fizike në fund të sezonit me Atletico Madridin, ndërsa ekzistojnë pikëpyetje nëse ky ritëm i lartë mund të ndikojë edhe te futbollistë të tjerë gjatë turneut.
Një rast i veçantë është Alexis Mac Allister. Mesfushori i Liverpoolit ka grumbulluar 119 paraqitje në dy sezonet e fundit dhe shumë analistë mendojnë se lodhja ka ndikuar në rënien e formës së tij.
Ish-lojtari i Liverpoolit, Jermaine Pennant, madje i kritikoi publikisht paraqitjet e tij gjatë sezonit.
“Pas dëmtimit që pati, duket sikur ka humbur energjinë. Në disa ndeshje dukej sikur thjesht po vraponte pa ndikim në lojë”, u shpreh Pennant.
Brezi i ri mund të jetë zgjidhja
Pikërisht për këto arsye, Scaloni mund të detyrohet ta përshpejtojë kalimin drejt brezit të ri gjatë vetë turneut.
Emra si Nico Paz, Valentin Barco dhe Giuliano Simeone shihen si e ardhmja e kombëtares, ndërsa tifozët vazhdojnë të kërkojnë më shumë minuta edhe për talente të tjerë të rinj.
Nëse Argjentina dëshiron të mbrojë kurorën botërore dhe t’i dhurojë Lionel Messit një lamtumirë të paharrueshme në Kupën e tij të gjashtë dhe të fundit, atëherë ndërthurja mes përvojës së kampionëve dhe energjisë së brezit të ri mund të rezultojë vendimtare.
Scaloni ka ndërtuar një nga periudhat më të suksesshme në historinë e futbollit argjentinas. Tani sfida e tij më e madhe mund të jetë të gjejë çastin e duhur për t’ia kaluar stafetën brezit të ardhshëm, pa humbur mundësinë për një tjetër triumf historik.


