Skënderbeu u largua i mundur nga “Selman Stërmasi”, pasi Tirana triumfoi 3-2 në një përballje të fortë dhe emocionuese. Në përfundim të takimit, trajneri i korçarëve, Julian Ahmataj, analizoi episodet kryesore të sfidës dhe arbitrimin.
“Goli i parë ishte një aksident, pasi erdhi pas një autogoli. Për disa minuta kaluam një moment të vështirë, por arritëm të riktheheshim në lojë. Kemi fituar shumë penallti, megjithatë në raste të tjera na janë mohuar. Edhe sot nuk na u akordua një penallti deçizive.
Mungesat patën ndikimin e tyre. Nuk kishim në dispozicion sulmuesin kryesor dhe kapitenin, dy elemente shumë të rëndësishme në ndërtimin e formacionit. Të dy janë lojtarë me eksperiencë, të aftë për të menaxhuar situata të ndryshme”, u shpreh Ahmataj.
Trajneri i Skënderbeut foli edhe për pasojat psikologjike që pati skuadra pas golit të pësuar. “Kur pëson një goditje të tillë psikologjike, minutat që pasojnë janë të rrezikshme. Janë momente të errëta që mund të ndodhin në futboll, sidomos kur përballë ke një skuadër si Tirana, që ka sulmues të mirë.
Sa i përket përshtypjes se skuadra u çekuilibrua pas golit, ekuilibrat në fushën e lojës mund të prishen edhe për një metër. Në këtë situatë ndikoi gjithashtu terreni i lojës dhe mënyra se si u menaxhuan ezaurimet e aksioneve”, deklaroi Ahmataj.
