Pas arritjes së madhe të edicionit të parë dhe përmbylljes me sukses të programit Milan Experience në Milano, AC Milan Junior Camp Prishtina ka nisur zyrtarisht edicionin e tij të dytë, i cili do të organizohet nga 22 deri më 26 qershor 2026.
Ceremonia e hapjes u mbajt në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në kuadër të hapësirës së Prishtina Football Fest, ku në të njëjtën kohë po transmetohen ndeshjet e FIFA World Cup 2026, duke krijuar një atmosferë të veçantë sportive në qendër të kryeqytetit.
Pas një viti të rëndësishëm për projektin, gjatë të cilit pjesëmarrësit e kampit të parë patën rastin të përjetojnë nga afër Milan Experience në Itali, duke u stërvitur në ambientet zyrtare të AC Milan dhe duke takuar figura të njohura të klubit, edicioni i dytë vjen me synimin që t’u japë edhe më shumë fëmijëve mundësinë të zhvillohen sipas metodologjisë së një prej akademive më të njohura në botë.
Përgjatë pesë ditëve të kampit, qindra fëmijë do të stërviten në fushat e Bermicës nën udhëheqjen e trajnerëve zyrtarë të AC Milan Academy, duke marrë njohuri teknike, taktike dhe edukative të mbështetura në filozofinë e klubit italian.
AC Milan Junior Camp Prishtina vazhdon të jetë një nga projektet më të rëndësishme të futbollit për grupmoshat e reja në Kosovë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes futbollit vendor dhe njërit prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.
Organizatorët vlerësuan interesimin e lartë të fëmijëve dhe prindërve, duke theksuar se suksesi i edicionit të parë dhe realizimi i Milan Experience dëshmojnë se ky projekt tashmë është kthyer në një platformë reale zhvillimi për talentet e rinj.
Stërvitjet e kampit do të mbahen nga 22 deri më 26 qershor në Kompleksin Sportiv në Bermicë, ndërsa aktivitetet do të përmbyllen me ceremoninë mbyllëse dhe ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit.
AC Milan Junior Camp Prishtina 2026
22–26 Qershor
Bermicë, Prishtinë./


