Lionel Messi e hapi në mënyrë mbresëlënëse mbrojtjen e titullit të Argjentinës në Kupën e Botës, duke shënuar het-trik në fitoren 3-0 kundër Algjerisë, në sfidën e Grupit J të luajtur të hënën në mbrëmje.
Falë tre golave të tij, ylli argjentinas barazoi rekordin historik të Miroslav Kloses si golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës. Tashmë, të dy kanë nga 16 gola në kompeticionin më të madh të futbollit.
Gjithsesi, nata e Messit nuk ishte pa debat. Vetëm disa minuta pasi i dha epërsinë Argjentinës në minutën e 17-të, 38-vjeçari u bë pjesë e një episodi të diskutueshëm me mbrojtësin algjerian Aissa Mandi.
Messi ndërhyri pa kujdes ndaj kundërshtarit me taka të ngritura, çka bëri që gjyqtari të ndërpriste lojën dhe të jepte goditje dënimi për Algjerinë. Megjithatë, arbitri zgjodhi të mos e ndëshkonte me karton, pavarësisht se ndërhyrja u konsiderua e rrezikshme.
Ky vendim solli reagime të shumta në rrjetet sociale, ku tifozët kritikuan fort gjyqtarin për tolerimin e treguar ndaj kapitenit të Argjentinës.
“Ky ishte karton i kuq i pastër dhe ai nuk mori as karton të verdhë, madje edhe pas kontrollit nga VAR-i”, shkroi një tifoz.
“Messi sapo i shpëtoi ndëshkimit pas një ndërhyrjeje absolutisht të tmerrshme ndaj këmbës së një mbrojtësi të Algjerisë”, komentoi një tjetër.
“Nuk ka asnjë shans që kjo të mos jetë karton i kuq. Edhe vetë Messi e kuptoi gabimin që bëri. Nuk i dhanë as karton të verdhë”, ishte një tjetër reagim që tërhoqi vëmendje të madhe.
Pavarësisht polemikave rreth incidentit, Messi e vazhdoi paraqitjen e tij të shkëlqyer dhe realizoi edhe dy gola të tjerë, duke konfirmuar fitoren e pastër 3-0 të Argjentinës në ndeshjen e parë të Kupës së Botës.
Pas ndeshjes, sulmuesi legjendar e uli rëndësinë e rekordit të barazuar me Klosen, duke theksuar se statistikat nuk janë gjëja më e rëndësishme për të.
“Është një nder. Mbappe dhe Ronaldo janë aty, por këto shifra nuk nënkuptojnë gjithçka. Janë thjesht statistika. Ronaldo është një nga më të mëdhenjtë dhe nuk është në vendin e parë, kështu që është vetëm një statistikë”, deklaroi Messi për gazetën argjentinase La Nacion.
Më pas, ai foli edhe për paraqitjen e skuadrës së tij në triumfin ndaj Algjerisë.
“Ishim të pozicionuar mirë kur kishim topin dhe e menaxhuam ndeshjen shumë mirë. Kemi përvojën nga Kupa e fundit e Botës dhe e dimë se askush nuk të fal asgjë”, përfundoi kapiteni i Argjentinës./


