Spanja e hapi rrugëtimin e saj në Kupën e Botës me një hap fals të papritur ndaj Kepit të Gjelbër. Përfaqësuesja spanjolle nuk gjeti mënyrën për të çarë prapavijën afrikane dhe e mbylli me barazim 0-0 ndeshjen e saj të parë në turne.
Në pjesën e parë, mungesa e Lamine Yamal dhe Nico Williams u ndje dukshëm. Skuadra u shfaq statike, me qarkullim të ngadaltë të topit dhe pa forcën e duhur për të vënë në vështirësi mbrojtjen kundërshtare. Ferran Torres pati dy mundësi për të zhbllokuar sfidën, por nuk arriti t’i konkretizonte.
Në mesin e pjesës së dytë, Yamal u aktivizua dhe solli një përmirësim të lehtë në lojën e kombëtares. Sidoqoftë, ndikimi i tij nuk mjaftoi dhe takimi u mbyll pa asnjë gol.
Tani Spanja do të përballet me Arabinë Saudite dhe i nevojitet fitorja për ta mbyllur grupin në vendin e parë. Ndeshja nis të dielën në orën 18:00.
Spanja mbetet në krye
Megjithëse barazoi me Kepin e Gjelbër, Spanja vijon të mbetet zgjedhja kryesore e agjencive të basteve për triumfin në Kupën e Botës. Duhet theksuar se ajo vlerësohet me të njëjtat gjasa si Franca. Pas tyre në listën e favoritëve renditen Portugalia, Anglia, si edhe Brazili e Argjentina me mundësi të barabarta.
Shorti e ka vendosur Spanjën dhe Francën në të njëjtin nivel si dy pretendentet kryesore për fitimin e Kupës së Botës. “Les Bleus” përballen sonte me Senegalin në orën 21:00. Nga pesë skuadrat favorite për ta fituar turneun, vetëm Brazili e ka zhvilluar tashmë ndeshjen e parë.


