Pasi përfunduan Lojërat Olimpike të “Paris 2024”, në Francë është koha për të bërë një bilanc.
E jo vetëm nga pikëpamja sportive dhe organizative. Në fakt, dy ditë pas ceremonisë së mbylljes me dorëzimin e stafetave te Los Angelos (që do të presë edicionin e 2028-ës) nisën llogaritë nga pikëpamja ekonomike për të kuptuar se sa kushtuan realisht Lojërat Olimpike në kryeqytetin francez dhe cili ishte bilanci mes të ardhurave dhe shpenzimeve.
Siç ndodh shpesh në këto raste, ka pikëpamje kontradiktore.
Duke dëgjuar atë që deklaroi ministrja franceze e dorëhequr e Ekonomisë dhe Turizmit, Olivia Gregoire, në intervistën e dhënë për ‘La Tribune’, në fakt bëhet fjalë për një “sukses ekonomik dhe turistik” me “përfitimet ekonomike që nuk do të ndalen këtu, pasi në të kaluarën është treguar se efektet pozitive të Olimpiadës shfaqen edhe shumë kohë pas ngjarjes”.
Një pritshmëri e përbashkët edhe nga Banka e Francës, e cila pret një rritje të ndjeshme prej 0.25% të PBB-së të nxitur nga Lojërat.
E njëjta ministre zbuloi vlerësimet e bëra nga qeveria franceze sipas të cilave Olimpiada e Paris 2024 do të kushtonte 8.8 miliardë euro (rreth 2 miliardë e gjysmë më shumë se 6.2 miliardët e vlerësuar në 2017 në kohën e caktimit nga IOC) në 15 vitet e ardhshme, “një pjesë e madhe e të cilave do të mbulohet nga investimet private”.
Megjithatë, llogaritjet e bëra nga disa ekonomistë dhe organe të pavarura janë të ndryshme dhe kanë vlerësuar koston e Lojërave Olimpike të Paris 2024 mes 10 dhe 12 miliardë euro.
Kjo sepse 8.8 miliardëve të njoftuara nga ministrja Gregoire i duhen shtuar kostot e pa vëna në buxhet si punimet e bonifikimit të Senës që priti, jo pa polemika të mëdha, garat e notit në ujëra të hapura, kostot për sigurinë para dhe gjatë ceremonisë inauguruese, shpërblimet e dhëna për agjentët publikë dhe personelin që punon në sektorin e transportit.
Domethënë, ato shpenzime, të përballuara nga shteti, të cilat duhet t’i shtohen llogaritjes së përgjithshme për të përcaktuar koston reale përfundimtare të Lojërave Olimpike të Parisit dhe që do të çonin në rritjen e pjesëmarrjes së publikut (fillimisht e fiksuar në 4.38 miliardë euro).
Prandaj, ajo që duket e sigurt është se buxheti i vlerësuar fillimisht do të duhet të rishikohet me rritje.
sport,bilanci,Paris24 , bilanci,Paris24