Statistikat në EURO 2024: Më pak gola këtë edicion, autogolat bëjnë “ligjin”

Lajme

EURO 2024 ka hyrë në fazën më interesante të saj, teksa një javë përpara finales, ose thënë ndryshe tre ndeshje nga fundi, në këtë kompeticion vijojnë të mbizotërojnë autogolat, teksa shumë lojtarë nuk i kanë përmbushur pritshmëritë.

Nëse flasim gjuhën e statistikave deri më tani, pas fazës së çerekfinaleve janë shënuar 108 gola, me një mesatare 2.25 gola për ndeshje.

Nëse ende po pyesni vetën se cili është golashënuesi më i mirë, atëherë po ju themi se deri në këtë pikë të kampionatit janë shënuar 9 autogola, tre herë më shumë se ata që kryesojnë listën e golashënuesve.

Surpriza në këtë Europian mban emrin e Mikautadze, me sulmuesin e Gjeorgjisë që edhe pse është eliminuar në raundin e 1/8-ave vijon të kryesojë listën e golashënuesve me 3 finalizime, më kuotë të barabartë me Musiala-n, Schranz dhe Gakpo, me holandezin që është ende në garë.

Ndërkohë 79 lojtarë në total kanë shënuar të paktën një gol në këtë europian, pa llogaritur ata të cilët kanë dërguar topin në portën e gabuar.
Ndërkohë, nëse e krahasojmë këtë edicion me të kaluarin, në EURO 2020 u shënuan gjithsej 142 gola, 34 gola më shumë se aktualisht, një kuotë që është utopike për t’u arritur kur kanë mbetur edhe 3 ndeshje deri në fund.

Për herë të dytë në historinë e Kampionatit Europian, të paktën 3 ndeshje nga katër në fazën çerekfinale kërkuan kohën shtesë, madje dy prej tyre u vendosën nga penalltitë për të mësuar ekipin gjysmëfinalist.

Hera e parë që ndodhi ishte në vitin 2008, ku në fund ishte Spanja ajo që e ngriti trofeun. Iberikët janë sërish në garë, pasi do të synojnë fitimin e kampionatit europian për herë të katërt në histori, ndërsa në total janë 6 trofe kontinental mes 4 kombëtareve, ku kryeson Spanja me 3, e ndjekur nga Franca me 2 dhe Holanda me 1.

Ndërkohë, për të vijuar me statistikat e EURO 2024, Lamine Yamal kryeson listën e asistimeve me tre të tilla, ndërsa Havertz momentalisht është lojtari që ka goditur më shumë portën me 11 goditje në kuadrat, teksa një tjetër gjeorgjian kryeson në listën e portierëve me më shumë pritje, Mamardashvili me 29 të tilla.

Gjermania e eliminuar në çerekfinale dhe Spanja, skuadra që nxori jashtë gjermanët, janë dy skuadrat me më shumë gola 11 deri më tani, teksa në podium është Holanda me 9 rrjeta.

Portugalia dhe Gjermania janë dy skuadrat momentalisht me përqindje më të lartë në posedimin e topit, respektivisht 64.8% dhe 59.2%, ndërsa Franca, një nga katër skuadrat gjysmëfinaliste krenohet me mbrojtjen më të mirë, vetëm 1 gol i pësuar dhe nga 5 ndeshje në total në 4 prej tyre nuk ka pësuar.

Emra si Bellingham, Foden, Mbappe, Griezmann, Kane apo Yamal ende nuk kanë bindur plotësisht, duke treguar se ky Europian deri më tani ka qenë pronë e gabimeve, autogolave dhe risive./Super Sport



sport,Euro 2024 , Euro 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *