Goditja e parë i erdhi. Mirlind Daku do të ndëshkohet nga klubi i tij, Rubin Kazan, pas asaj që ndodhi në përfundim të ndeshjes Kroaci-Shqipëri, me klubin rus, që njoftoi zyrtarisht në faqen e tij në rrjet se ka marrë një vendim për sulmuesin kuqezi, ndonëse nuk sqaroi se çfarë ndëshkimi do të ketë.
Sipas komunikatës së klubit, Daku do të njoftohet për dënimin kur të kthehet në klub për fazën përgatitore, pas përfundimit të Evropianit dhe të disa ditëve pushim. Nuk dihet nëse do të ketë thjesht gjobë apo pezullim, ndërsa sulmuesi mundet edhe të largohet nga skuadra pasi atë e kërkojnë klube në Rusi dhe në Evropë.
Daku gjithashtu është nën hetim nga UEFA, ashtu siç janë edhe Federatat e Futbollit të Shqipërisë dhe Kroacisë.
Ai mori megafonin në përfundim të sfidës së Europianit në Hamburg dhe lëshoi thirrje ofenduese ndaj popullit maqedonas, gjë për të cilën Federata e Maqedonisë së Veriut bëri denoncim në UEFA. Shqipëria dhe Kroacia mund të dënohen për thirrje të disa tifozëve “vritini serbët”, po në të njëjtën ndeshje, ndërsa Federata Serbe e Futbollit bëri një ankesë në Nion.
sport,daku , daku