Skënderbeu fiton finalen e vogël, në Evropë shkon Vllaznia

Lajme

Skënderbeu ka mposhtur 3-2 Vllazninë në finalen e vogël të “Final 4” dhe mbyll sezonin në vendin e tretë në renditjen finale të Superiores. Por për shkak të dënimit që ka marrë nga UEFA, klubi korçar nuk mund të luajë në Kupat e Evropës, prandaj në Conference League do të luajë Vllaznia, ndonëse mbylli sezonin (pas Final 4) në vendin e katërt.

Në një stadium thuajse të boshatisur (dihej që më herët që kjo sfidë luhej vetëm për prestigj), korçarët kanë nisur shumë mirë ndeshjen dhe zhbllokojnë menjëherë rezultatin me Nikajn. Pak minuta më vonë është Liço që shënon golin e dytë për Skënderbeun.

Vllaznia mundohet të reagojë, por janë sërish korçarët ata që shënojnë me anë të Rashicës. Shkodranët fitojnë një penallti që kthehet në gol nga Mala dhe pjesa e parë mbyllet 3-1 në favor të korçarëve.

Bie disi ritmi i ndeshjes në pjesën e dytë, por janë sërish korçarët që shënojnë. Goli i Nikajt, anulohet nga VAR për pozicion jashtë loje. Vllaznia mundohet të rihapë ndeshjen dhe gjen golin e dytë 10 minuta para përfundimit të takimit. Balaj tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe çon shifrat në 3-2. Kuqeblutë luajnë me 10 lojtarë në minutat e mbetura, pas largimit me karton të kuq të Stojanoviç.

Pavarësisht përpjekjeve të Vllaznisë, rezultati i takimit nuk ndryshon dhe Skënderbeu fiton 3-2 finalen e vogël të “Final 4”.



sport,Skenderbeu,vllaznia , Skenderbeu,vllaznia

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *