Legjionarët: Asllani kurorëzohet kampion i Italisë, Laçi dhe Tuci fitojnë titullin në Çeki

Lajme

Kur ka mbetur edhe pak ditë nga grumbullimi zyrtar i Kombëtares kuqezi në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, fundjava që sapo lamë pas ishte shumë e veçantë për tre futbollistët e Shqipërisë, Kristjan Asllani, Qazim Laçi dhe Indrit Tuci.

Asllani u kurorëzua kampion i Italisë me Interin duke fituar për herë të parë në karrierën e tij titullin e Serisë A. Një sezon fantastik për zikaltërit që dominuan kampionatin dhe me plot meritë fituan titullin e 20-të në histori, teksa një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë arritje ka dhënë edhe mesfushori kuqezi Kristjan Asllani i cili gjatë ceremonisë mori edhe medaljen e kampionit.

Titullin kampion me skuadrën e Sparta Prague e siguruan edhe Qazim Laçi dhe Indrit Tuci. Për Laçin ky ishte sezoni i dytë radhazi që shpallet kampion në Çeki. Sparta Prague fitoi 5-0 në transfertë ndaj Mlada Boleslav në një ndeshje ku mesfushori kuqezi ishte titullar dhe në fund futbollistët e Sparta Prague festuan së bashku suksesin e arritur.

Mirlind Daku sërish protagonist për skuadrën e tij Rubin Kazan. Sulmuesi kuqezi gjeti rrugën e rrjetës në disfatën 3-1 ndaj Spartak Moscow. Daku në minutën e 77-të e kontrolloi bukur topin në zonë duke iu shmangur mbulimit të mbrojtësit kundërshtar dhe me një goditje të fortë mposhti portierin. Ky ishte goli i nëntë në kampionat për Dakun i cili numëron edhe katër asiste.

Rey Manaj zhvilloi një tjetër paraqitje të mirë me ekipin e tij Sivasspor që triumfoi në transfertë 3-1. Sulmuesi kuqezi edhe pse nuk e gjeti rrugën e rrjetës ishte vendimtar me një asist në golin e tretë që u shënua nga shoku i tij i skuadrës Koita. Në fund Manaj u vlerësua edhe si më i miri i ndeshjes me notën 8.3 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Ivan Balliu, Naser Aliji, Ylber Ramdani dhe Sokol Cikalleshi ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Mario Mitaj, Keidi Bare, Ernest Muçi.



sport,legjionaret , legjionaret

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *