Ish-legjenda e Liverpoolit, Pepe Reina, po i afrohet thyerjes së rekordit të Cristiano Ronaldos për më së shumti paraqitje në kompeticionet evropiane.
Portieri i cili ka shpenzuar nëntë vite në ‘Anfield’, tani është 41-vjeçar dhe ende një ndër figurat më të rëndësishme te Villarreali, aty ku kishte kaluar vitet e tij të para në karrierë.
Reina e nisi nga minuta e parë në duelin ndaj Marseilles në Ligën e Evropës të enjten aty ku pësuan humbje, por ai vazhdoi të përmirësonte numrin e tij të paraqitjeve.
Ai ka shijuar një karrierë të gjatë që e ka parë atë të luajë në Angli, Spanjë, Gjermani dhe Itali. Veterani spanjoll tani numëron 192 paraqitje në garat e UEFA-së, duke e lënë atë në vetëm pesë paraqitje më pak se Ronaldo.
Reina do ta zgjerojë këtë numër edhe më shumë në ndeshjen e dytë ndaj Marseilles që do të zhvillohet në Spanjë. Përkundër moshës së tij, Reina ka luajtur në të gjitha takimet (7) në Ligën e Evropës, ndërsa klubi spanjoll po vazhdon të bëjë rotacione në atë pozitë.
Është gjithashtu më se e qartë se Ronaldo nuk do të jetë më në gjendje të zgjerojë numrin e tij të paraqitjeve, pasi karriera e tij në Evropë tashmë ka marrë fund.
Reina ishte gjithashtu numri një i portës edhe tek Milani dhe Lazio, në mesin e një periudhe të shkurtër në formë huazimi tek Aston Villa. Ai tani është rikthyer tek Villarreali dhe gjithmonë e kishte shprehur dëshirën e tij që të vazhdojë të luajë sa më gjatë që të jetë e mundur. /Telegrafi/
sport,liverpool,Pepe Reina , liverpool,Pepe Reina