Gareth Southgate pritet të bëjë befasinë dhe të ftojë një portier jashtë Ligës Premier për ndeshjet e radhës të kombëtares së Anglisë.
Përzgjedhësi 53-vjeçar është duke bërë gati Anglinë për Kampionatin Evropian 2024 që do të mbahet në Gjermani gjatë verës.
“Tre Luanët” nuk kanë qenë në aksion që prej barazimit me rezultat 1-1 ndaj Maqedonisë së Veriut në nëntor, aty ku një autogol i Jane Atanasov e shpëtoi Anglinë nga turpërimi.
Para pauzës me kombëtare muajin e ardhshëm, Southgate mund t’i ofrojë mundësinë ish-portierit të Manchester United, Jack Butland, i cili nuk është paraqitur me kombëtaren që gjashtë vite.
Sipas Daily Mail, Southgate me shumë mundësi do të ftojë yllin e Ranges për shkak të dilemave që ka për portën e Anglisë. Jordan Pickford është momentalisht zgjedhja e parë për Anglinë, por portieri rezervë është ai që po i shkakton kokëdhembje teknikut anglez.
Më herët, ky rol i kishte takuar portierit të Arsenalit, Aaron Ramsdale, sidoqoftë ai ka humbur pozitën e startuesit në klub, pasi Arteta po favorizon më shumë David Rayan, duke bërë që vendi i tij tani në kombëtare të jetë në dyshim.
Në anën tjetër Nick Pope e ka humbur pjesën e mbetur të sezonit për shkak të lëndimit të shpatullës, ndërsa Sam Johnstone gjithashtu e ka humbur pozitën e titullarit tek Crystal Palace. /Telegrafi/
sport,Premier League , Premier League