Serie A

Giovanni Albanese sqaron rolin e Zhegrovës te Juventusi, marrëdhënien me Spallettin dhe interesimin e Monacos

Edon Zhegrova po gjen gjithnjë e më shumë minuta te Juventusi që prej emërimit të Luciano Spallettit, megjithëse futbollisti i Kosovës ende pret të ketë një rol më të madh në formacionin e skuadrës nga Torino. Për situatën e reprezentuesit kosovar ka folur gazetari italian Giovanni Albanese, pjesë…

Giovanni Albanese sqaron rolin e Zhegrovës te Juventusi, marrëdhënien me Spallettin dhe interesimin e Monacos

Edon Zhegrova po gjen gjithnjë e më shumë minuta te Juventusi që prej emërimit të Luciano Spallettit, megjithëse futbollisti i Kosovës ende pret të ketë një rol më të madh në formacionin e skuadrës nga Torino.

Për situatën e reprezentuesit kosovar ka folur gazetari italian Giovanni Albanese, pjesë e “Gazzetta dello Sport”, i cili e ndjek nga afër Juventusin dhe zhvillimet e futbollit italian.

Albanese ka analizuar paraqitjet e Zhegrovës, arsyet që e kanë shtyrë Spallettin ta aktivizojë kryesisht në fund të ndeshjeve, si dhe konkurrencën e fortë në repartin ofensiv të Juventusit.

Sipas tij, trajneri italian ka vlerësim dhe besim të madh te Zhegrova, por prania e disa alternativave në të njëjtin pozicion e detyron të bëjë përzgjedhje të vështira.

“Bëhet fjalë për një futbollist shumë cilësor, i aftë ta ndryshojë vetë ritmin dhe rezultatin e një ndeshjeje. Spalletti beson tek ai, por duhet të zgjedhë mes shumë lojtarëve që mund të luajnë në atë rol”, ka deklaruar Albanese.

Gazetari ka nënvizuar se Juventusi ka pasur gjithmonë besim në aftësitë e Zhegrovës, por klubi priste që ai të ishte më i qëndrueshëm sa i përket paraqitjeve. Sipas tij, problemet fizike e detyruan skuadrën torineze të priste gjatë rikthimin e tij në dispozicion.

“Klubi e ka çmuar gjithmonë potencialin e Zhegrovës, por synonte që ai të kishte më shumë vazhdimësi në ndeshje. Në fund, Juventusi u detyrua ta priste për një kohë të gjatë për shkak të vështirësive fizike”, ka thënë ai.

Për raportin mes futbollistit dhe Spallettit, Albanese ka sqaruar se marrëdhënia është pozitive dhe se trajneri e vlerëson kosovarin. Megjithatë, ai ka theksuar se Zhegrova duhet të jetë në një gjendje më të mirë fizike për t’i shërbyer ekipit.

“Mes tyre ka një raport të mirë dhe trajneri ka konsideratë të lartë për të. Por Zhegrova duhet të jetë më i përgatitur fizikisht”, është shprehur gazetari italian.

Albanese ka dhënë edhe arsyen pse Zhegrova po aktivizohet shpesh nga stoli. Kalendari me ndeshje çdo tri ditë dhe detyrimi për të kërkuar vazhdimisht fitore kanë bërë që Spalletti ta ruajë për momentet kur kundërshtarët janë të lodhur.

“Duke parë minutat që ka në dispozicion, ritmin e ndeshjeve dhe nevojën e Juventusit për të fituar, Spalletti po e përdor në fund për të shfrytëzuar shpërthimin dhe shpejtësinë e tij ndaj mbrojtjeve që nuk janë më në maksimumin fizik”, ka shpjeguar Albanese.

Megjithëse konkurrenca në sulm është e madhe, gazetari beson se Zhegrova do të ketë mundësi të nisë nga minuta e parë në shumë takime gjatë sezonit, njësoj si Francisco Conceicao dhe Nico Gonzalez.

“Sezoni është i gjatë dhe Juventusi do të luajë shumë ndeshje. Për këtë arsye, Zhegrova mund të jetë titullar në shumë raste, ashtu si Conceiçao dhe Nico Gonzalez”, ka deklaruar ai.

Sipas Albaneses, Zhegrova tashmë ka fituar një peshë të rëndësishme në projektin e Juventusit, ndërsa tifozët torinezë e kanë pritur dhe vlerësuar pozitivisht.

“Ai është tashmë një futbollist me rëndësi për Juventusin dhe mbështetësit e klubit kanë një vlerësim shumë të madh për të”, ka thënë gazetari.

Në përfundim, Albanese ka bërë të ditur se Monaco është interesuar për shërbimet e futbollistit të Kosovës, në rast se Juventusi do të pranonte ta shiste gjatë afatit kalimtar të janarit.

“Monaco ka shfaqur interesim për Zhegrovën nëse Juventusi do të vendoste ta nxirrte në shitje në janar. Deri tani, megjithatë, klubi nuk ka marrë ndonjë vendim për të ardhmen e tij”, ka përfunduar Albanese.