Nesër në orën 18:30, stadiumi “Elbasan Arena” do të presë derbin e qytetit mes Dinamos dhe Partizanit, i vlefshëm për javën e 13-të të “Abissnet Superiore”. Të dyja skuadrat ndajnë të njëjtat problematika dhe kanë nevojë të madhe për pikë, çka e bën këtë sfidë edhe më të rëndësishme.
Në prag të kësaj ndeshjeje, Dinamo si skuadra pritëse ka publikuar në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale një njoftim për shitjen e biletave, shoqëruar me një mesazh për tifozët. Klubi thekson se në momente të tilla prania e mbështetësve të Dinamos në stadium është e domosdoshme, ndaj i fton ata të jenë sa më të shumtë në tribuna për të mbështetur ekipin.
Sa u përket çmimeve, bileta për tribunën VIP kushton 2 mijë lekë të reja, ndërsa tribunat T1 dhe T2 ofrohen me çmimin 1 mijë lekë të reja. Biletat për tribunat D, E dhe F shiten me 500 lekë të reja. Rëndësia e këtij derbi bën që të dyja skuadrat të kenë të njëjtën ambicie dhe kërkesë, duke e bërë edhe më interesant nivelin e paraqitjes në fushë.
