Desire Doue është përballur me një dëmtim të rëndë në gju, këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior në gjurin e djathtë, dhe tani e pret një rrugë e gjatë rehabilitimi. Megjithatë, rikthimi në fushë mund të jetë vetëm hapi i parë i një procesi shumë më të zgjatur për të rifituar formën e mëparshme.
Sipas fizioterapistit sportiv Florian Forelli, i cili foli për RMC Sport, futbollistëve që pësojnë këtë lloj dëmtimi u duhen mesatarisht dy deri në tre vjet për të arritur sërish nivelin që kishin më parë.
Ai shpjegoi se lojtarët shpesh pyesin se kur mund të rikthehen në fushë, dhe përgjigjja është zakonisht pas tetë deri në 12 muajsh. Por pyetja më e rëndësishme, sipas tij, është se kur do ta rifitojnë nivelin e mëparshëm, sepse kjo kërkon pothuajse dy deri në tre vjet.
Forelli theksoi gjithashtu se mbështetja psikologjike gjatë rehabilitimit është thelbësore, pasi këputja e ligamentit të kryqëzuar përbën një traumë të madhe jo vetëm fizike, por edhe mendore.
Paris Saint-Germain ka bërë të ditur se Doue do të operohet para përfundimit të muajit nëntor, por klubi nuk ka dhënë ende një datë zyrtare për rikthimin e tij në fushë.
Një fat i ngjashëm ka goditur edhe yllin tjetër të skuadrës, Kvara Kvaratskhelia, i cili gjithashtu ka pësuar këputje të ligamentit kryesor të gjurit dhe si pasojë e ka mbyllur sezonin.
Ndërkohë, gjiganti francez pritet të lëvizë në afatin kalimtar të janarit për të forcuar repartin ofensiv.
