Liverpooli po shqyrton mundësinë t’i paraqesë Ajaxit një ofertë gjatë afatit kalimtar të janarit për Abdellah Ouazanen. Klubi synon të shtojë alternativa në sulm dhe t’i japë më shumë përkrahje Florian Wirtzit.
Julian Ward, drejtuesi i rekrutimit të Liverpoolit, po punon për të përshpejtuar përforcimin e skuadrës. Ouazane, tifoz i klubit anglez që në fëmijëri, është kthyer në një objektiv serioz.
Sipas Anfield Watch, emri i 17-vjeçarit është në listën e Liverpoolit bashkë me Wael Mohyan dhe Gilberto Moran, ndërsa klubi kërkon një alternativë të besueshme për Wirtzin.
Megjithëse Liverpooli është i kënaqur me paraqitjet e fundit të futbollistit gjerman, Ward e kupton se krijimi i lojës nuk mund të mbështetet vetëm tek ai. Kjo ka shtyrë “Të Kuqtë” të shtojnë përpjekjet për të afruar një organizator gjatë janarit.
Ouazane shihet si një prej talenteve më premtues të akademisë së njohur të Ajaxit në dekadën e fundit dhe ka arritur të vendosë rekorde si me klubin, ashtu edhe me kombëtaren.
Me gjatësi 1.83 metra, ai është golashënuesi i katërt më i ri i Ajaxit në Eredivisie gjatë këtij shekulli. Gjithashtu, është golashënuesi më i ri në historinë e përfaqësueses së Marokut.
Interesimi për 17-vjeçarin lidhet me synimin e Liverpoolit për të ndërtuar një skuadër të re e konkurruese dhe për të krijuar një ekip dominues në vitet që vijnë, pas periudhës së vështirë nën drejtimin e Arne Slot.
Teksa afati kalimtar i janarit po afrohet, Ward duhet të vendosë nëse do të dërgojë ofertë zyrtare për Ouazanen apo do të zgjedhë njërin prej kandidatëve të tjerë, Mohya dhe Moran.
