Pavarësisht zërave të fundit që e lidhnin Trent Alexander-Arnold me Bayern Munichun, klubi gjerman nuk po e konsideron mbrojtësin e Real Madridit si një objektiv të mundshëm transferimi.
Që nga kalimi i tij nga Liverpooli verën e shkuar, 28-vjeçari ka zhvilluar 44 paraqitje me “Los Blancos”, por ende nuk ka arritur të riprodhojë formën që kishte shfaqur në futbollin anglez.
Në ndeshjen e fundit, kur Real Madridi përmbysi rezultatin dhe fitoi 2-1 ndaj Celta Vigos, Alexander-Arnold u fërshëllye edhe nga tifozët e vet.
Më herët, ish-sulmuesi i Liverpoolit, Emile Heskey, kishte sugjeruar se Bayerni mund të ishte një destinacion i shkëlqyer për mbrojtësin anglez, megjithëse do të preferonte ta shihte atë sërish në Anfield.
Sidoqoftë, gazetari Christian Falk, në një raportim për CFBayern Insider, e ka mohuar interesimin e kampionit gjerman për shërbimet e tij.
Sipas Falkut, pohimi se Bayern Munichu është i interesuar për mbrojtësin anësor të Real Madridit nuk është i saktë. Ai shton se klubi gjerman po kërkon një lojtar për atë pozicion dhe emra si Givairo Read vazhdojnë të jenë në listën e tyre. Profili i Readit, sipas tij, tregon qartë se Bayerni nuk synon një futbollist të tipit të Alexander-Arnold.
Falk gjithashtu nuk është i bindur se Vincent Kompany do ta pëlqente profilin e anglezit, pasi ai nuk konsiderohet një mbrojtës i djathtë tipik për Bayern Munichun. Ai kujton se lojtari nuk është më i riu dhe se 28-vjeçari nuk e ka dëshmuar veten te Real Madridi. Sipas tij, futbollistët anglezë që provojnë veten në një shtet tjetër meritojnë respekt, por jo të gjithë arrijnë sukses pas largimit nga Britania e Madhe dhe jo çdo anglez është Harry Kane. Për këtë arsye, ai nuk pret që Alexander-Arnold të jetë një opsion real për Bayernin gjatë verës.
