Real Madridi ka barazuar 1-1 me Atletico Madridin në kuadër të javës së 23-të në La Liga.
Pas 20 minutash lojë, Brahim Diaz kaloi Los Blancos në epërsi, duke elektrizuar atmosferën në “Santiago Bernabeu”.
Dy skuadrat kishin më pas raste të tjera shënimi, por që nuk ia arritën t’i konkretizonin ato.
Në 45 minutat e dytë ishte një lojë më e ashpër nga të dyja palët, por edhe disa raste të shpërdoruara, ndërsa një fund dramatik.
Atletico Madridi ia doli të shënonte në minutën e 48-të nëpërmjet Stefan Savic, por që VAR-i e anuloi për pozicion jashtë loje.
Jude Bellingham kërkoi dy herë penallti (60’ dhe 66’) por gjyqtari sinjalizoi se loja duhej vazhduar.
Një rast ideal për gol e lëshoi edhe Antoine Griezmann në minutën e 77-të, kur Lunin bëri një pritje fantastike.
Por, fundi i ndeshjes ishte edhe më dramatik, pasi Marco Llorente i barazoi shifrat në 1-1 me një asistim të Memphis Depayt në minutën e 90+3-të.
Pas javës së 23-të, Real Madridi ka arkëtuar 58 pikë, dy më shumë se Girona në vendin e dytë, ndërsa në xhiron e 24-të përballen pikërisht me këta të fundit. /Telegrafi/
sport,Atletico Madrid,la liga,real madrid , Atletico Madrid,la liga,real madrid