Disfata e fundit në transfertë kundër Elbasanit e ka thelluar më tej krizën te Dinamo në Superiore. Skuadra ka katër ndeshje rresht pa fitore në kampionat dhe tani renditet në vendin e katërt, shumë larg objektivit për titullin kampion.
Pas këtij rezultati zhgënjyes, presidenti i dinamovitëve, Adrian Bardhi, nuk e përmbajti dot veten dhe reagoi përmes një postimi në llogaritë zyrtare të klubit në rrjetet sociale. Ai shkroi:
“Kjo nuk është Dinamo dhe kjo paraqitje është e papranueshme! Fanella legjendare e këtij klubi kërkon sakrificë, karakter dhe uri për fitore.
Jeni ndër më të paguarit në Shqipëri, në klubin më korrekt, por në fushë nuk po i përgjigjeni as besimit, as sakrificës sonë.
Nuk ka më justifikime! Kush nuk e ndien këtë fanellë dhe nuk jep gjithçka për të, lojtar apo pjesëtar i stafit, të largohet që nesër. Dinamo nuk mban askënd me zor!”
Dy fjalët e fundit të këtij postimi prekin drejtpërdrejt edhe trajnerin Ilir Daja. Edhe pse ka dy vjet që drejton Dinamon, 60-vjeçari ende nuk ka arritur ta afrojë ekipin me objektivin, aq më pak ta fitojë kampionatin.
Kjo seri prej katër ndeshjesh pa zgjidhje e ka minuar thellë besimin e presidentit Bardhi, si te lojtarët, ashtu edhe te stafi teknik.
Tashmë priten me shumë interes zhvillimet e radhës te “blutë” e kryeqytetit, ku “shkëndijat” e para tashmë janë ndezur.
