Premier League

Manchester United drejt një vendimi historik: Silvia Tuya, gruaja e parë në stafin teknik të ekipit të parë

Manchester United është në prag të një hapi historik, pasi për herë të parë në historinë e klubit pritet që një grua t’i bashkohet stafit të trajnerëve të ekipit të parë. Bëhet fjalë për spanjollen 46-vjeçare Silvia Tuya, e cila aktualisht është pjesë e ekipit të Mauricio Pochettinos dhe pritet të…

Manchester United drejt një vendimi historik: Silvia Tuya, gruaja e parë në stafin teknik të ekipit të parë

Manchester United është në prag të një hapi historik, pasi për herë të parë në historinë e klubit pritet që një grua t’i bashkohet stafit të trajnerëve të ekipit të parë. Bëhet fjalë për spanjollen 46-vjeçare Silvia Tuya, e cila aktualisht është pjesë e ekipit të Mauricio Pochettinos dhe pritet të marrë detyrën e trajneres së fitnesit.

Të mërkurën, Tuya zbriti në aeroportin e Mançesterit me të njëjtin fluturim si Pochettino dhe më pas e shoqëroi trajnerin e ri deri në qendrën stërvitore të klubit në Carrington.

Sidoqoftë, emri i saj mungonte nga lista zyrtare e anëtarëve të rinj të stafit që publikoi Manchester United. Sipas raportimeve, Tuya ende nuk e ka nënshkruar kontratën dhe nuk është prezantuar zyrtarisht. Shkak për këtë vonesë është një çështje e mundshme me lejen e punës, e cila duhet të zgjidhet para se ajo të fillojë zyrtarisht punën në klub.

Tuya iu bashkua stafit të kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në tetor 2024, një muaj pasi Pochettino mori drejtimin e ekipit kombëtar. Ajo mban një doktoraturë në shkencat sportive dhe më parë ka punuar te Levante Badalona, skuadër që garon në elitën e futbollit femëror spanjoll, Liga F.

Përtej futbollit, ajo ka përvojë edhe në fushën akademike: ka ligjëruar në Universitetin e Barcelonës dhe në Institutin Kombëtar të Edukimit Fizik të Katalonjës. Tuya komunikon në tri gjuhë: anglisht, spanjisht dhe katalanisht.

Manchester United e ka tashmë në staf Isabelle Brand, e cila punon si specialiste për mbështetjen e sportistëve elitarë. Megjithatë, sipas raportimit të “The Sun”, ajo nuk bën pjesë në stafin e trajnerëve të ekipit të parë.

Pochettino do të ketë pranë edhe të birin, Sebastiano, i cili filloi të punojë me të atin si trajner fitnesi te Tottenham në vitin 2016. Në grupin e ri teknik janë gjithashtu asistentët Jesus Perez dhe Miguel D’Agostino, trajneri i portierëve Antonio Jimenez dhe analisti Alec Scott. Perez, D’Agostino dhe Jimenez e kanë shoqëruar Pochettinon në klubet e mëparshme, ndërsa Scott ka bashkëpunuar me të gjatë kohës te përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara.

Një nga prioritetet e Pochettinos do të jetë ngritja e gjendjes fizike të skuadrës. Statistikat e cituara tregojnë se Manchester United renditet i 19-ti në Premier League për distancën totale të përshkuar, i 17-ti për distancën e vrapuar me shpejtësi të lartë dhe i 19-ti për shpejtësinë mesatare maksimale.

Trajneri i mëparshëm Michael Carrick nuk kishte në staf një specialist të veçantë fitnesi, ndërsa në klub vijon të jetë Charlie Owen, 40 vjeç, i cili e mban këtë rol që prej verës së vitit 2019, kur u promovua gjatë periudhës së Ole Gunnar Solskjaer.

Nëse emërimi i Silvia Tuyas zyrtarizohet, ajo do të hapë një kapitull të ri në historinë e Manchester United si gruaja e parë pjesë e stafit të trajnerëve të ekipit të parë.