Antonio Nusa është kthyer në një nga lojtarët më të kërkuar në merkato, me Bayern Munichun dhe Arsenalin që po e ndjekin nga afër.
Bayern Munichu e ka futur sërish në listën e objektivave anësorin e RB Leipzigut, pasi reparti ofensiv i bavarezëve është goditur nga një sërë lëndimesh. Probleme fizike për Luis Diazin, Jamal Musialën dhe Ismael Saibarin kanë shtyrë drejtuesit e klubit të mendojnë për forcimin e krahëve të sulmit.
Sipas gazetarit Christian Falk nga e përditshmja gjermane BILD, drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, e vlerëson Nusën si një profil ideal për të mbuluar krahun e majtë të repartit ofensiv.
Megjithatë, kalimi i norvegjezit në Mynih nuk duket i thjeshtë, pasi ai kërkon një rol qendror në ekipin e ardhshëm dhe në garë ka hyrë me forcë edhe Arsenali.
Interesimi i Bayernit për Nusën nuk është i ri; klubi bavarez e kishte vëzhguar lojtarin edhe gjatë merkatos së verës së shkuar, por atëherë nuk kishte paraqitur ndonjë ofertë konkrete.
Ndërkohë, anësori norvegjez ka vijuar të tregojë përparim të dukshëm në Bundesligë dhe ka fituar një peshë edhe më të madhe në sulmin e RB Leipzigut.
Pas largimit të Yan Diomandes drejt Real Madridit, Nusa ka marrë më shumë përgjegjësi në fazën sulmuese dhe po kalon një sezon mjaft frytdhënës. Në 14 ndeshje zyrtare, ai ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë shtatë asistime, duke tejkaluar tashmë numrin e golave të gjithë sezonit të kaluar.
Forma aktuale dhe përvoja e fituar në kampionatin gjerman e bëjnë atë një kandidat serioz për ta përforcuar sulmin e Bayernit.
Megjithatë, pavarësisht vlerësimit pozitiv nga Max Eberl, ka disa faktorë që mund ta vështirësojnë transferimin e Antonio Nusas në Allianz Arena.
Sipas BILD, një prej tyre është kërkesa e lojtarit për një vend të sigurt në formacionin titullar. Nusa nuk është i gatshëm të pranojë një rol dytësor, sidomos nëse Luis Diaz rikthehet nga dëmtimi dhe rimerr pozicionin e tij në krahun e majtë.
Një tjetër vështirësi lidhet me çmimin e mundshëm të kartonit. Drejtuesit e Bayernit e dinë se klubet rivale në Bundesligë kërkojnë shuma të mëdha për lojtarët e tyre kryesorë, prandaj në Mynih po mendojnë ta shtyjnë investimin për verën e vitit 2027, kur pritet të kenë më shumë hapësirë në buxhet.
Në anën tjetër, Arsenali shihet momentalisht si një nga pretendentët kryesorë për shërbimet e norvegjezit. Interesimi i klubeve të Ligës Premier mund ta përshpejtojë konkurrencën dhe t’i komplikojë planet e gjigantit gjerman.
Bayerni do të vazhdojë të ndjekë situatën e Nusas, si dhe gjendjen fizike të Luis Diazit dhe Jamal Musialës në javët në vijim.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në prag të merkatos së verës 2027, kur drejtuesit bavarezë do të duhet të vendosin nëse janë gati të bëjnë një ofertë të konsiderueshme për të bindur RB Leipzigun dhe për t’u përballur drejtpërdrejt me Arsenalin.
