Mesfushori rus Aleksei Batrakov është kthyer në një objektiv konkret për Barcelonën dhe Bayern Munich, teksa 21-vjeçari po shkëlqen në fillimet e tij me Galatasarayn në futbollin turk.
Talenti i ri është bërë një nga emrat më të spikatur në kontinent që nga kalimi te skuadra turke në merkaton e verës së shkuar.
Galatasaray e transferoi Batrakov nga Lokomotiv Moska për 25 milionë euro dhe lojtari nuk vonoi të tregojë potencialin e tij. Ai u fut shpejt në grupin e lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit, duke ndikuar ndjeshëm në fazën sulmuese.
Në 13 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet, ai ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë katër asistime. Përveç organizimit të aksioneve, mesfushori ofensiv ka dëshmuar se di të jetë vendimtar edhe para portës.
Paraqitjet e tij kanë qenë të spikatura edhe në Champions League, ku ka realizuar katër gola, duke treguar se mund të bëjë diferencën në nivelin më të lartë të futbollit evropian.
Sipas gazetës turke Fanatik, raportim i përcjellë edhe nga Foot Mercato në Francë, Barcelona dhe Bayern Munich tashmë po e ndjekin me vëmendje gjendjen e lojtarit 21-vjeçar, pasi paraqitjet e tij kanë tërhequr interesimin e klubeve të mëdha europiane.
Ky interesim nga dy gjigantët mund ta kthejë Batrakovin në një nga emrat më të komentuar në afatet e ardhshme kalimtare.
