Jude Bellingham ka parashtruar dy kushte përpara se të firmosë një marrëveshje të re me Real Madridin, teksa bisedimet mes palëve kanë filluar tashmë.
Sipas informacioneve nga media spanjolle OK Diario, mesfushori anglez dëshiron një rritje të ndjeshme të rrogës dhe, njëkohësisht, siguri për projektin sportiv të ekipit, përpara se të lidhet për një afat më të gjatë me klubin e “Santiago Bernabeut”.
Kërkesa e parë e 23-vjeçarit ka të bëjë me aspektin financiar. Ai pret të marrë rreth 22 milionë euro në sezon, një shifër që do ta barazonte me Vinicius Junior në hierarkinë e pagave.
Raportohet se Real Madridi është i hapur për ta përmbushur këtë pritshmëri.
Ndërkaq, kushti i dytë lidhet me vizionin afatgjatë të klubit. Bellingham kërkon garanci se Los Blancos do të vijojnë të krijojnë një formacion konkurrues, të aftë për të synuar trofetë kryesorë në çdo edicion.
Kontrata e tanishme e anglezit me Real Madridin skadon në vitin 2029, por performancat e tij e kanë forcuar më tej statusin brenda skuadrës.
Në 12 ndeshje të luajtura në La Liga këtë sezon, ai ka shënuar katër gola dhe ka regjistruar tri asiste.
