Përgjatë Ligës së Kombeve, përzgjedhësi Franco Foda grumbulloi 33 futbollistë të ndryshëm. Prej tyre, vetëm katër nuk u aktivizuan në asnjë ndeshje.
Kosova e përfundoi garën në vendin e tretë, pas Austrisë dhe Irlandës, duke siguruar njëkohësisht qëndrimin në Ligën B.
Në gjashtë takimet e zhvilluara, Foda u dha hapësirë lojtarëve për të treguar aftësitë e tyre. Në total, 29 nga 33 të grumbulluarit u paraqitën në fushë.
Pa minuta mbetën portieri Visar Bekaj, mbrojtësit Leard Sadriu dhe Betim Fazliji, si dhe sulmuesi i ri Enis Rexhepi. Ky i fundit, futbollist i Stuttgartit, nuk u aktivizua pasi FIFA nuk ia miratoi dokumentacionin në kohë.
Mërgim Vojvoda dhe Ilir Krasniqi ishin të vetmit që luajtën në të gjitha ndeshjet, duke regjistruar nga 540 minuta secili.
Leon Avdullahu dhe Dion Gallapeni u aktivizuan në gjashtë takime dhe luajtën nga 481 minuta. Po aq ndeshje pati edhe Fisnik Asllani, i cili grumbulloi 237 minuta, pasi në disa raste u fut si zëvendësues.
Një nga të dhënat që ra në sy ishte minutazhi i Amir Shaipit: portieri luajti 295 minuta, përkundër 245 minutave të Aro Muricit. Kjo e lë të hapur mundësinë që portieri i Castillas të jetë zgjedhja e parë në të ardhmen.
Gjatë këtyre kualifikueseve debutuan katër futbollistë. Erblin Osmani dhe Dion Kacuri luajtën për herë të parë në shtator/tetor, ndërsa Lindrit Kamberi dhe Bleon Kurtulus debutuan në nëntor.
Osmani u aktivizua vetëm në ndeshjen në shtëpi kundër Irlandës. Kacuri ishte titullar ndaj Izraelit dhe u fut në lojë nga stoli edhe në dy raste të tjera. Në nëntor, Kamberi luajti si titullar në të dyja ndeshjet dhe qëndroi në fushë gjatë gjithë kohës, ndërsa Kurtulus debutoi në minutën e 90-të, në humbjen 3-0 nga Irlanda.
Minutat dhe ndeshjet e zhvilluara nga futbollistët e Kosovës në kualifikueset e Ligës së Kombeve:
Çfarë e pret Kosovën tani?
Më 6 dhjetor, Kosova do të mësojë kundërshtarët për kualifikueset e Kampionatit Evropian “Euro 2028”. Përfaqësuesja do të jetë në vazon e tretë.
Nëse Kosova shortohet në një grup me pesë kombëtare, ndeshjet kualifikuese do t’i nisë në mars të vitit 2027. Nëse grupi përbëhet nga katër ekipe, gara do të fillojë në shtator.
Një gjë është e sigurt: Kosova nuk do të jetë në të njëjtin grup kualifikues me Shqipërinë.
Në mars priten edhe ndryshime në skuadrën e “Dardanëve”, me rikthimin nga lëndimet e mbrojtësve Albian Hajdari e Lumbardh Dellova, si dhe të yllit të ekipit, Florent Muslija. Në dispozicion të teknikut gjerman do të jetë edhe përforcimi më i ri, Lutfi Dalipi.
